Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka foluar për mocioni e mosbesimit që e rrëzoi qeverinë e tij, vetëm 50 ditë pas votimit të saj në kuvend dhe për bashkëpunimin e tij me ministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës pas këtij mocioni, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti ka thënë se ai i ndan bashkë me ta sukseset e qeverisë në detyrë dhe thotë se beson se nëse ministrat e LDK-së do të ishin të pakënaqur, sipas tij, ata do të kërkonin dorëheqje.
“Tash në të dy 50-ditëshat ne kemi punuar bashkë dhe sukseset i ndajmë bashkë në kuptimin e meritave që i kemi për shkak të kontributit që kemi dhënë. Andaj, unë nuk mendoj që është e drejtë të thuhet që ministrat e LDK-së në qeveri nuk kanë kontribuar, ashtu siç mendoj që nuk është e drejtë të thuhet se kjo qeverisje nuk ka qenë e suksesshme. Pra, nëse do të ishin të pakënaqur, në një mënyrë thelbësore, unë mendoj se do të tëhiqeshin. Por, ata kanë punuar aty dhe kanë dhënë maksimumin në kushtet kur qeveria e jonë nuk i ka pasur kompetencat e plota, për shkak se ishim veçse qeveri në detyrë”, tha ai.
Kurti tha se edhe pse është rrëzuar ai dhe kabineti i tij ka vazhduar të punojë dhe kanë qenë në detyrë si edhe para mocionit të votëbesimit. Ai thotë se për këtë kohë kanë pasur sulme nga “të katër anët”, por thotë se ata që votuan për rrëzimin e qeverisë e rrëzuan veten.
“Ndonëse, të them të drejtë mu nuk është se më pengoni fort, se unë në detyrë kam qenë tërë kohën edhe para atyre 50 ditëve të dyta edhe 50 ditë të para, ose thoshin që qeveri kujdestare, ne qeveri kujdestare kemi qenë gjithmonë. Nuk ka pasur nevojë të na rrëzojnë me mocion të mosbesimit për t’i thënë vetës kryeministër në detyrë, në detyrë kam qenë edhe më herët edhe qeveria ka qenë po ashtu kujdestare.Vetëm se sulmin e kemi pasur të paparë, për çdo ditë sulmet i kemi pasë të papara, bile nganjëherë po më duket se na sulmonin nga katër anët. Nëse njëra palë nuk do të na sulmonte, ka mundësi se do të rrëzoheshim. Sepse ju e keni parë që mocioni i mosbesimit në fakt nuk e ka rrëzu qeverinë, më shumë i ka rrëzu ata të cilët votuan kundër. Qeveria është në detyrë, ne po punojmë, unë jam kryeministër në detyrë. Pra më shumë ka ndodh një lloj heqje e maskave në kohën e maskave; heqje e maskave politike në kohën e maskave shëndetësore, se sa që e kanë rrëzu qeverinë. Kurrë më shumë nuk kanë ra maskat, paçka se kurrë më shumë njerëz me maska shëndetësore nuk kemi pa nëpër rrugët e Kosovës”, tha Kurti në T7./Gazeta Sinjali/