Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë televizive ka folur për procesin e dialogut dhe mundësinë që ky dialog të përfundojë me marrëveshje brenda mandatit të tij katër vjeçar.
Kurti tha se është i interesuar që marrëveshja me Serbinë të përfundojë sa më parë, mirëpo në këtë vit do të intensifikohen bisedimet.
“Edhe Serbia çlirohet nga një ëndërr hegjemonike që në fakt gjithmonë është shndërruar në makth për fqinjët e saj. Besoj që ky është viti në të cilin do të mund të intensifikohen bisedimet, pasi duket që edhe në Serbi e kanë kuptuar që nuk ka më kthim në të kaluarën andaj do të duhet ta pranojnë Pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të avancojnë integrimet evropiane. Neve na pengojnë pesë shtetet mosnjohëse që të integrohemi në Bashkimin Evropian, por Serbia e ka të pamundur që të integrohet në BE pa e njohur Kosovën”, tha Kurti në RTK.
“Neve partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë, aleatët tanë, vijnë dhe na mbështesin për Kosovën e pavarur dhe sovrane, me integritet territorial dhe shtetësi funksionale, por në të njëjtën kohë kërkojnë prej nesh që të jemi aktivë dhe konstruktivë në dialog gjë që ne e bëjmë. Në bisedimet që zhvillohen në Bruksel, ne kemi qenë të përkushtuar jo thjesht për një dialog për hir të dialogut, por për dialog për marrëveshje e cila duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Kushtetuta e Kosovës dhe Kushtetuta e Serbisë nuk janë në pajtueshmëri me njëra-tjetrën, por ne besojmë se është ajo e Serbisë që duhet të ndryshojë dhe me durim dhe angazhim të palodhshëm përpiqemi që të kemi sa më shumë miq në arenën ndërkombëtare për këtë qëllim tonin”.