Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar deklaratën e sotme të presidentit Hashim Thapi i cili tha se qeveria në detyrë i ka bllokuar institucionet e vendit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Kurtit karriga e vetme e bllokuar është ajo e Thaçit i cili, sipas kryeministrit në detyrë, ka dalë nga detyrat e tij. Adaj, Kurti e ka ftuar Thaçin që ta lirojë karrigen e tij dhe të dalë në fushatë zgjedhore, të cilën Kurti thotë se edhe tani po e bën.
“Unë po e theksoj sërish që Presidenti i Kosovës nuk është i kënaqur me ulësen e tij, prandaj bën mirë që ta lëshojë atë, ta lirojë ulësen dhe të vjen në fushatë zgjedhore dhe më pastaj aty të shikojë për vizionin që do e japë e për votat që do i marrë. Sepse, qartazi ai dëshiron të jetë më shumë se presidente, për këtë gjë i nevojitet dikush që është më pak se kryeministër. Por, tek unë nuk mund ta gjejë këtë, sepse është rezultati i 6 tetorit 2019 dhe është Kushtetuta dhe ligjet e Republikës sonë. Pra në këtë kuptim, kemi një president të frustruar i cili si i tillë po bëhet gati për fushatën zgjedhore dhe unë mendoj se më së miri, më së drejti dhe më së sinqerti nuk mund të jetë se sa të dorëhiqet dhe të vjen në fushatë, sepse ashtu po sillet, ashtu po flet. Institucionet nuk janë të bllokuara, kemi një karrige e cila është e bllokuar prej dikujt i cili nuk është në nivelin e detyrës, rrjedhimisht është jashtë detyrës. Por këto nuk janë probleme që nuk mund të zgjidhen dhe ky nuk është as interesi im në këtë kohën e pandemisë së COVID-19”, tha Kurti para gazetarëve.
Kurse, sa i përket dekretit të presidentit, kryeministri në detyrë tha se detyrë e presidentit është që ta respektojë Kushtetutën dhe “jo ta shkruaj atë me dekrete”.
“Gjykata Kushtetuese i ka aktgjykimet e saj të mëhershme, e kemi përvojën tonë praktike. Rasti aktual nuk ndryshon as formalisht as moralisht nga viti 2010 dhe viti 2017 dhe unë në njërën anë nuk besoj që Gjykata Kushtetuese bjen në kundërshtim me vetveten. Në anën tjetër, nuk besoj që Gjykata Kushtetuese lejon që dekretet e presidenti të jenë autorë të shkrimit të Kushtetutës. Pra, presidenti duhet ta respektojë Kushtetutën nuk mund ta shkrujë atë, ndërkaq, Gjykata Kushtetuese e interpreton Kushtetutën. Gjërat janë shumë të qarta, por normalisht se ka interesa të ndryshme të cilat përpiqen t’i mjegullojnë. Nëse Kushtetuta ngelet e heshtur për gjëra të caktuara, nëse ka zbrazëtira në Kushetetutë, ato nuk mund t’i mbush presidenti me dekret. Unë besoj që nga ky gabim që ka bërë është shtuar edhe frustrimi i tij”, tha Kurti në konferencën e përbashkët me ministrin në detyrë, Arben Vitia./Gazeta Sinjali/