image Kurti paralajmëron se do të iniciohet procedura për shkarkimin e Hashim Thaçit

Kosovë

Kurti paralajmëron se do të iniciohet procedura për shkarkimin e Hashim Thaçit

news image

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sipas vlerësimit kushtetues të lëshuar nga Zyra Ligjore e Kryeministrit të Kosovës, ka bërë shkelje të rëndë kushtetuese dhe kjo përbën bazë për të nisur procedurat për shkarkimin e tij.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot përmes një shkrese zyrtare e ka njoftuar kryekuvendaren e Kosovës, Vjosa Osmani se e kishte kërkuar një analizë të një marrëveshjeje sekrete të 2013-ës mes kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Sekretarit të atëhershëm të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Përmes kësaj marrëveshje Thaçi në emër të Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

Kryeministri Kurti bashkë me marrëveshjen e ka publikuar opinionin e lëshuar nga Zyra ligjore e kryeministrit, përfundim i të cilit është se Thaçi ka kryer shkelje të rëndë kushtetuese.

“Duke marrë parasysh provat në dispozicion të Zyrës së Kryeministrit, si dhe dispozitat relevante të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ekzistojnë baza të mjaftueshme për të konstatuar ‘prima facie’ se presidenti Thaçi, gjatë kohës kur ishte kryeministër, ka kryer shkelje te rënda te Kushtetutës dhe se kryerja e këtyre shkeljeve justifikon inicimin e procedurës kushtetuese për shkarkimin e tij nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përfundimin e opinionit të Zyrës Ligjore të kryeministrisë./Gazeta Sinjali/