Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh, ish-kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai nuk është i detyruar t’u përmbahet zotimeve të kryeministrit të tanishëm të Kosovës, Avdullah Hotit, nëse kthehet në detyrë.
Sipas tij, nënshkrimi i Hotit në “tekste jokoherente dhe të paqarta” është kundër vullnetit të popullit dhe shkel kushtetutën e Kosovës.
“Ne nuk jemi të detyruar t’u përmbahemi zotimeve të kryeministrit të paligjshëm të Kosovës, kur të kthehemi në detyrë. Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente dhe të paqarta është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka shkruar Kurti në Twitter, duke shtuar se ato marrëveshje nuk do të ratifikohen në Kuvend.
Po ashtu, Kurti ka kërkuar që ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë – Serbi, që në këtë rast ishte SHBA-ja, të përmbahen nga “nxitja e marrëveshjeve që shkaktojnë përçarje të mëtejshme mes dy shteteve”.
“Ndërmjetësuesit duhet të përmbahen nga nxitja e marrëveshjeve që shkaktojnë përçarje të mëtejshme midis Kosovës dhe Serbisë. Vetëm dialogu parimor dhe i përgatitur mirë çon në marrëveshje të drejta dhe të qëndrueshme”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/