image Kurti: Nuk duhet të ketë bisedime me harta, me Administratën Biden do të jetë ndryshe

Politikë

Kurti: Nuk duhet të ketë bisedime me harta, me Administratën Biden do të jetë ndryshe

news image

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha sot se presidenti i ri amerikan, Joe Biden e njeh mirë historinë e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor dhe për të zgjidhur problemet në rajon, kjo është shumë e rëndësishme, shkruan Gazeta sinjali.

“E di që në politikë, financat janë shumë të rëndësishme, por edhe historia po ashtu. Kam frikë se administrata e mëparshme u dha më shumë peshë financave sesa historisë”, tha ai duke theksuar se në debatet me ish të dërguarin amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ishte e vështirë meqë siç tha, “ai ngutej shumë dhe ishte shumë i përqendruar në çështjet financiare”, tha Kurti në një bashkëbisedim me qendrën “Woodrow Wilson”.

Kurti shfaqi besimin se me presidentin Biden dhe sekretarin e shtetit, Antony Blinken do të jetë më ndryshe, gjersa shtoi se kur bëhet fjalë për dakordimin e 4 shtatorit të vitit të kaluar për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, “më pëlqen ta lexoj nga fundi”.

“Në fund të tekstit të marrëveshjes… është njohja e Kosovës nga Izraeli. Dhe kjo është pjesa që më pëlqen më së shumti në të dhe është pika e fundit, prandaj unë e lexoj nga fundi”, tha ai, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian rreth Ballkanit Perëndimor.

Kurti po ashtu tha se përmbajtja e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi është më e rëndësishme sesa afati apo shpejtësia me të cilën arrihet ajo.

“Ne nuk duhet të kemi bisedime ku do të përfshihen hartat me këtë idenë e vjetër të shkëmbimit të territoreve… Ne duhet të bisedojmë për njerëzit, qytetarët e komunitetet si përfituesit kryesor dhe jo për politikanët, fytyrat e të cilëve supozohet se duhet t’i shpëtojmë”, tha Kurti duke nënvizuar se “nuk duhet të ketë bisedime me harta dhe jo harta me presidentët përreth, sepse, natyrisht hartat do të vazhdojnë të ekzistojnë, por duhet të jenë me ekspertet e demarkimit përreth tyre”.

“Për fat të keq deri tash qeveria dhe presidenti i Serbisë janë përqendruar shumë në atë se çfarë ka humbur Serbia me pavarësinë e Kosovës. Unë jam shumë i gatshëm të angazhohem në bisedime se çfarë kanë humbur qytetarët dhe jo çfarë ka humbur Serbia e sunduar nga (Slobodan) Milosheviçi, që kreu spastrim etnik dhe gjenocid në pranverën e vitit 1999”.

“Kosova nuk ishte e tyre në radhë të parë. Mënyra si kërkojnë ata të kompensohen nëpërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe, diç që duket si Republika Srpska në Bosnjë, është e papranueshme”.

Ai tha se kushdo që kërkon kompensim kësisoj, e identifikon me apo pa vetëdije veten me regjimin e Milosheviqit.

Kurti tha se Bashkimi Evropian e ka lënë pasdore rajonin, posaçërisht Kosovën, e cila nuk është përfshirë madje as në regjimin e udhëtimit pa viza.

/Gazeta Sinjali/