Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli para mediave pas takimit që pati sot me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Kurti tha se pala serbe refuzoi propozimin që ai e bëri për një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.
I pari i ekzekutivit në Kosovë tha se çështja e personave të pagjetur është një çështje nga e kaluara dhe se nuk e kupton presidentin serb, i cili refuzoi po ashtu që togfjalëshi “ballafaqim me të kaluarën” të përfshihet në zotimin për të bërë gjithçka për të pagjeturit.
“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene, si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u refuzua. U refuzua ende pa u lexuar dhe kjo për mua tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje”, tha Kurti.
Kurti u tha gazetarëve se propozimi i tij në çështjen e zotimit për të pagjeturit u pranua me butësi nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, por që u refuzua nga presidenti serb.
“Insistuam aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe fjala ‘ballafaqimi me të kaluarën’. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë”, tha ai, duke shtuar se nuk e kupton se pse duhet të frikësohen kaq shumë që të përballen me të kaluarën.
“Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm”, përfundoi kryeministri i Kosovës./Gazeta Sinjali/