Kandidati për kryeministër nga radhët e VV-së, Albin Kurti, me rastin e Ditës së Mësuesit ka thënë se në sytë e shkollarit mësuesi është përfaqësuesi i një jete që çelet përpara, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se personaliteti mësimdhënës mbart drejtpërdrejt fuqinë që i jep virtyti publik i shoqërisë sonë.
Ai ka thënë se mësuesi vjen menjëherë pas prindit.
“Sot është dita e mësueseve dhe mësuesve tanë. Personaliteti mësimdhënës mbart drejtpërdrejt fuqinë që i jep virtyti publik i shoqërisë sonë. Mësuesi vjen menjëherë pas prindit. Sapo fëmija del prej ngrohtësisë së nënës, babait dhe vatrës, ka përpara vetes dhe bashkëmoshatarëve të vet një autoritet të ri të cilin e dashuron jo thjesht prej ndjenjës, por prej dijes. Në sytë e shkollarit mësuesi është përfaqësuesi i një jete që çelet përpara”, ka shkruar Kurti.
Tutje, ai ka kujtuar mësuesin Shaban Jashari, për të cilin Kurti thotë se ishte edhe mësues integral sepse u bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij.
“Le të kujtojmë sot figurën e mësuesit rezistent, luftëtar, dëshmor. Por edhe të rindjejmë e përkujtojmë atë vrull arsimues të Shaban Jasharit. Le ta rikujtojmë si mësuesi më i shpallur i bijve e bijave të tij. Mësues special ishte baca Shaban sepse u kthye në mësues për fëmijët e tij. Por baca Shaban ishte edhe mësues integral sepse u bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij. Në këtë kuptim 7 marsi mund të marrë vlerën e vet më të plotë. Mësuesi nuk është ai që na sjell dijen abstrakte dhe vetminë, por virtytin publik të lirisë, deri edhe dijen e vetëmohimit në emër të hapjes së një epoke të re”, ka përfunduar Kurti. /Gazeta Sinjali/