Kryeministri Albin Kurti, është duke marrë pjesë në Forumin e Sigurisë në Bratislavë, ku dha edhe një intervistë për “Politico”, në të cilën ka folur për sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën pas aksionit të së premtes në veri të Republikës së Kosovës.
Gjatë kësaj interviste, ai ka thënë se mes Kosovës dhe SHBA-së ka një dallim të vogël në qasje, derisa shton se vendosja e masave dhe sanksioneve është joproporcionale dhe e padrejtë.
Kurti gjithashtu ka thënë se është befasuar nga vendimi amerikan dhe e ka konsideruar reagimin amerikan si “reagim të tepruar”.
“Ne kemi një ndryshim të vogël në qasje – dhe mendoj se të menduarit për sanksione kundër Kosovës duket jashtë proporcionit dhe i padrejtë”, ka thënë Kurti në një intervistë në margjinat e konferencës GLOBSEC në Bratislavë.
“Isha i befasuar”, shtoi ai, duke e karakterizuar përgjigjen amerikane si një “reagim të tepruar”.
SHBA-ja ka vendosur të përjashtoj Kosovën nga ushtrimi ushtarak “Defender Europe 2023”. Gjithashtu ambasadori amerikan ka treguar se SHBA s’ka interes të lobojë për njohje të reja për Kosovën dhe ka shtuar se do të befasohej nëse do të ndodhte ndonjë takim i nivelit të lartë SHBA-Kosovës.