image Kurti: Marrëveshja me Serbinë në rrugën e duhur, por jo afër

Politikë

Kurti: Marrëveshja me Serbinë në rrugën e duhur, por jo afër

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur para gazetarëve të Kosovës pas përfundimit të Samitit të Berlinit në një paraqitje mjaft interesante.

Kurti në një nga adresimet kryesore e pati për planin franko-gjerman dhe marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës deklaroi se është ende herët të diskutohet për detajet e marrëveshjes finale, por që tha se janë në rrugën e duhur.

“Së pari, jemi në rrugën e duhur për ta diskutuar kornizëm e marrëveshjes. Deri më tash është diskutuar për hapa të vegjël, momenti i ndryshimit ka qenë në Bruksel më 18 gusht. Aty për herë të parë temat aktuale kanë qenë pikë e dytë e rendit të ditës. Pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e dialogut. Si temë këtu vijnë propozimet dhe idetë, dhe të gjitha këto propozime që bazohen në vlera evropiane. Shprehi mirëkuptimin tim, dhe angazhimin tim konkret. Por kjo tregon që jemi në shtegun e duhur dhe kemi bazën e mirë, mirëpo ka shumë punë që të flitet për ndonjë farë përmbajtje përfundimtare. Është ende herët”, tha ai.

Kurti tha se nuk mund të jepin detaje, pasi aludoi se ka qenë kërkesë e ndërmjetsuesve që të ruhet konfidencialiteti (fshehtësia).

“Së pari, opsionet, modelet, idetë të cilat po prezantohen kohëve të fundit, pa dyshim janë avancim, meqenëse bëhet fjalë për nocione universale siç janë integriteti territorial, pavarësia dhe barazia. Kjo është shumë e mirë për marrëveshjen e ardhshme mes Kosovë e Serbisë, që për bindjen tonë duhet të jetë finale, ligjërisht e obligueshme, dhe patjetër ta ketë njohjen reciproke. Është herët të themi se çka do të përmbajë ajo në fund, por ka lëvizje të duhur nga të ashtuquajtura marrëveshje për zgjidhjen e problemeve të posaçme që shndërrohen në solucione sui generis, me hollësi të panumërta, tek një marrëveshje e cila është e bazuar në vlerat evropiane”, deklaroi më tutje kryeministri i Kosovës.

“Qeveria e Kosovës nuk do të bëj asnjë marrëveshje që cenon integritetin territorial, pavarësinë, kushtetutshmërinë dhe zbatimin e ligjit. Dua të theksoj që sa herë që të na thërret Brukseli, Prishtina, Kosova, qeveria jonë është e gatshme, duam dialog parimor, simetrik, të bazuar në vlera evropiane”, tha ai.

/GazetaSinjali/