image ​Kurti: Lufta kundër dhunës gjinore, prioritet i Qeverisë

Sociale

​Kurti: Lufta kundër dhunës gjinore, prioritet i Qeverisë

news image

Qeveria e Kosovës ka treguar përkushtim serioz dhe veprime konkrete në luftimin e dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore“. Kështu ka deklaruar, kryeministri Albin Kurti në hapjen e tryezës së organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Kurti tha se gratë dhe vajzat janë shpesh të ekspozuara ndaj dhunës, përfshirë dhunës në familje, ngacmimit seksual, dhunimit, martesës së detyruar, andaj edhe në luftimin e parandalimin e këtyre dukurive, sipas kryeministrit, nevojitet ndërhyrja e koordinuar institucionale.

Në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, Kurti foli edhe për nismat dhe ndryshimet ligjore nga ana e Qeverisë për sigurinë dhe mbrojtjen e viktimave.

Nismat dhe ndryshimet ligjore nga Qeveria, në adresimin e dhunës në baza gjinore, dhe trajtimin e këtyre rasteve nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, u diskutuan me policë, mbrojtës të viktimave, përfaqësues të strehimoreve dhe qendrave për punë sociale.

Qeveria jonë, ka treguar përkushtim serioz dhe veprime konkrete në dritë të luftimit të dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore, duke kuptuar pasojat fatkeqe të këtyre dukurive në shoqërinë tonë, tha Kryeministri Kurti.

Kemi krijuar mekanizma që ndjekin krimin dhe llogarisim në sistemin gjyqësor të pavarur e efikas që të bëjë detyrën e tij. Përmes aktivizimit shoqëror ne e kemi obligim të parandalojmë dhunën në familje dhe dhunën me baza gjinore’, u shpreh kryeministri Kurti, derisa e bëri të qartë se si shtet, përmes prokurorisë efikase e gjyqësorit të urtë e të palëkundur në vendimmarrje, duhet të dërgojmë mesazhin që dhuna persekutohet, gjykohet e dënohet në mënyrën më të fuqishme.

Qeveria ka prioritizuar luftën kundër dhunës mbi baza gjinore, atë të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave si një nga 5 objektivat strategjike, ndër të cilat është edhe harmonizimi i legjislacionit vendor me Konventën e Stambollit, theksoi Kryeministri.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri kërkoi që si shoqëri, si institucione, si qytetarë nuk duhet të lejojmë as edhe një viktimë më shumë në betejën tonë kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. ‘’As edhe një më shumë’’.

/GazetaSinjali/