Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ‘Natën verore të Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim’.
Në këtë ngjarje, Kurti ka thënë se marrëdhëniet Kosovë – Gjermani, nuk nxiten vetëm nga interesi ekonomik, por edhe nga lidhjet e palëkundura kulturore dhe historitë familjare.
Kreu i qeverisë tutje ka thënë se Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim, jo vetëm që përfaqëson interesat e qeverisë gjermane në Kosovë, por edhe dëshirën e mbi 400 mijë pjesëtarëve të mërgatës së Kosovës në Gjermani, për ta parë vendin si pjesë integrale të komunitetit evropian.
Kryeministri Kurti ka theksuar se kemi arritur shumë si shoqëri falë partnerëve tanë gjermanë dhe ka shumë për t’u pritur për zhvillim dhe bashkëpunim.
“Duke theksuar indikatorët pozitivë ekonomikë, kryeministri ka shtuar se po shohim gjithnjë e më shumë njerëz që paguajnë taksat e tyre dhe kontribuojnë për një shoqëri më të fortë, të drejtë dhe më të barabartë”.
“Ne do të vazhdojmë të qeverisim pa u lodhur dhe në mënyrë transparente – duke i bërë përpjekjet dhe punën tuaj më të qëndrueshme dhe efektive”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.
Tutje, Kurti tha se Gjermaninë dhe Kosovën i bashkojnë të njëjtat synime dhe ideale për një Evropë të lirë, të begatë dhe paqësore, teksa u shpreh i lumtur që Kosova ka partnerë GIZ-in dhe kfW, për ta ndihmuar në arritjen e synimeve.