image Kurti kërkon nga senatorët amerikanë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Politikë

Kurti kërkon nga senatorët amerikanë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO

news image

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar pas takimit me senatorët amerikanë. Ai tha se kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme që shtetet demokratike të qëndrojnë së bashku kundër luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ai tha se Kosova qëndron krahë Ukrainës në këtë luftë.

“Në takimin tonë të përbashkët kam theksuar se kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani që shtetet demokratike të qëndrojnë bashkë kundër luftës agresore dhe ilegale të Rusisë në Ukrainë, me këtë rast edhe njëherë e ritheksojmë solidaritetin dhe admirimin tonë për popullin e Ukrainës, lidershipin politik të tij dhe qëndrueshmërinë e luftës çlirimtare që po bëjnë”, tha Kurti.

Kurti deklaroi se Kosova ka mbështetur qëndrimin e SHBA-së për luftën në Ukrainë, teksa tha se senatorët i ka njoftuar edhe për sukseset e Kosovës.

“Në këtë kontekst Kosova ka mbajtur qëndrimin e njëjtë me ShBA-të, BE-në dhe shtete e NATO-s, ndërkaq në anën tjetër kemi autokracitë të cilët mund të jenë të ndara nga populli i tyre por po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Në veçanti i njoftova senatorët për sukseset e shtetit të Kosovës, për të cilat ShBA-të kanë kontribuar aq shumë, si në luftë ashtu edhe në paqe , si para shpalljes së pavarësisë ashtu edhe pas saj”, ka thënë ai.

Kryeministri po ashtu tha se është e rëndësishme që ShBA-të të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Edhe në atë takim patëm kërkuar mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në NATO për çfarë është e rëndësishme që Kosova të bëhet pjesë e programit të partneritetit për paqe drejt anëtarësimit të plotë”, ka thënë ai.

/GazetaSinjali/