Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i mandatuari për formimin e qeverisë, Albin Kurti i ka kërkuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që ta thërras seancën plenare për votimin e përbërjes së qeverisë.
Për përbërjen e qeverisë, Kurti ende nuk ka marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Megjithatë, nesër në orën 09:00 Kryesia e Kuvendit do ta shqyrtojë kërkesën e tij për ta thirrur seancën plenare për votimin e qeverisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Pyetja më e shpeshtë që rëndom bëhet pas kësaj situate, është se çfarë ndodhë nëse përbërja e qeverisë Kurti, pa marrëveshje me LDK-në dështon të votohet në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse përbërja e qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, prapë ‘topi’ kalon te presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në aso situate, Thaçi do të duhej që brenda 10 ditësh ta emërojë kandidatin tjetër për kryeministër.
Nëse as kandidati i dytë nuk arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për votimin e përbërjes së qeverisë, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet, të cilat mbahen jo më larg se 40 ditë pas.
“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në pikën 4 të nenit 95 për zgjedhjen e qeverisë.
Nesër, Kryesia e Kuvendit pritet që ta miratojë kërkesën e Kurtit dhe ta caktojë datën e mbajtjes së seancës plenare, në të cilën ku kreut të LVV-së i duhet t’ia paraqesë para deputetëve përbërjen e qeverisë. /Gazeta Sinjali/