image Kurti jep detaje për mbledhjen e qeverisë që po mbahet në Prevallë

Kosovë

Kurti jep detaje për mbledhjen e qeverisë që po mbahet në Prevallë

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të qeverisë në Prevallë u prezantua Drafti i Programit Qeverisës. Sipas tij, tani do të vazhdohet me paraqitjen e prioriteteve afatshkurtër e afatmesme, si dhe të veprimtarive e masave legjislative e politike të ministrive përkatëse.

Kryeministri Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se në fund të takimit do ta hartojnë kornizën e planit të punës dhe organizimin e veprimit ndërministror sipas prioriteteve dhe sektorëve.

“Në mbledhjen e sotme gjithëditore që po mbahet në hotel “Sharr” në Prevallë të Prizrenit, u prezantua Drafti i Programit Qeverisës për të cilin diskutoi secili ministër. Tash po vazhdojmë me paraqitjen e prioriteteve afatshkurtëra e afatmesme, si dhe të veprimtarive e masave legjislative e politike të ministrive përkatëse. Në fund do ta hartojmë kornizën e planit të punës dhe organizimin e veprimit ndërministror sipas prioriteteve dhe sektorëve”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

Në mbledhjen e sotme gjithëditore që po mbahet në hotel “Sharr” në Prevallë të Prizrenit, u prezantua Drafti i Programit Qeverisës për të cilin diskutoi secili ministër. Tash po vazhdojmë me paraqitjen e prioriteteve afatshkurtëra e afatmesme, si dhe të veprimtarive e masave legjislative e politike të ministrive përkatëse. Në fund do ta hartojmë kornizën e planit të punës dhe organizimin e veprimit ndërministror sipas prioriteteve dhe sektorëve. Në vijim është teksti i fjalës sime hyrëse:

Mirëmëngjes të nderuar ministra dhe zëvendës kryeministra,

Shpresoj se keni fjetur mirë të gjithë.

Ditët e orarin e punës i kemi zgjatur por si këmbim ju ftoj të shijoni bukuritë e Sharrit e sidomos ajrin të cili do të na bëjë mirë këtë ditë.

Ende nuk janë bërë një muaj qeverisje, por janë bërë shumë punë.

Kemi filluar me çkapjen e shtetit nga shpëdorimi duke përmirsuar bordet e ndërmarrjeve publike në të cilat ka pasur keqpërdorime të parasë publike, por edhe të keqmenaxhimit duke shkaktuar humbje.

Kemi reduktuar pushtetin dhe kemi ndalë shpenzimet që të kuptojmë se ku qëndrojmë, çka po shpenzojmë dhe, më e rendësishmja, për çka po shpenzojmë.

Unë jam për të reduktuar e kursyer shpenzimet e panevojshme që nuk sjellin as rritje të mirqenies, e as nuk krijojnë vende të reja të punës, por jam për të rritur shpenzimet në investime të cilat janë mirë të planifikuara e të studiuara dhe që krijojnë vende të reja të punës në sektorë të qëndrueshëm.

Këtë do ta bëjmë dhe këtë duhet ta bëjmë.

Tashmë kemi edhe një draft të programit qeverisës i cili ka 41 faqe e që derivon nga marrëveshja jonë e koalicionit.

Ky program qeverisës pasqyron orientimet e përgjithshme të qeverisë, qasjen dhe parimet, prioritetet dhe iniciativat si dhe vendimet që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend në të gjitha fushat e përgjegjësisë.

Temat kryesore janë:

1. Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit,
2. Zhvillimi ekonomik,
3. Arsimi dhe shkenca,
4. Shëndetësia,
5. Politikat sociale,
6. Infrastruktura,
7. Mjedisi, energjia dhe minierat,
8. Kultura, rinia dhe sporti,
9. Mbrojtja dhe siguria, si dhe
10. Politika e jashtme, integrimi dhe mërgata.

Tashmë kemi folur shumë për secilën temë dhe besoj se e dimë përmendësh se çka do të bëhet, por mirë është të rikujtojmë.

Do të kemi një qeveri e cila planifikon dhe analizon para se të ekzekutojë vendime e të realizojë punime, e cila promovon sundimin e ligjit, që redukton shpenzimet financiare, përmirëson menaxhimin e financave publike dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike, që modernizon administratën publike dhe rritë transparencën llogaridhënien.

• Në prokurim publik do të ndërmarrim reforma të cilat arrijnë vlerën për para duke synuar kriterin: ekonomikisht më të favorshëm. Do të rrisim transparencën duke hapur përfituesit përfundimtar dhe duke hapur thesarin si dhe do të ngrisim kapacitetet për të monitoruar çdo parregullësi në proces për të parandaluar favorizimet e kurdisjet e tenderëve e sidomos menaxhimin e kontratave.

• Në administratë publike do të vazhdojmë reformat që profesionalizmin dhe efektshmërinë i kanë princip.

• Në ndërmarrje publike do të vazhdojmë bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar për të siguruar një proces fer, të drejtë dhe profesional të zgjedhjes së anëtarëve të bordeve.

• Do të avancojmë shërbimet elektronike dhe digjitale sepse sa më pak ndërveprim që kanë qytetarët dhe bizneset me zyrtarë publikë, aq më shumë parandalojmë keqqeverisjen dhe korrupsionin.

• Në qeverisje lokale do të synojmë që ajo të jetë sa më afër qytetarit e sa më larg korrupsionit. Qeveria do të ndajë grantin e katërt qeveritar për komunat, sipas parimit të meritokracisë, të bazuar në performancë.

• Do të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin si dhe do të bëjmë rishikimin funksional të drejtësisë ku tashmë veçse kemi bërë hapat e parë.

• Do të përgatisim ligjin për krimet e luftës, gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit.

• Do të avancojmë të drejtat e njeriut dhe sigurinë në komunitet si dhe do të finalizojmë miratimin e Kodit Civil.

• Do të themelojmë gjykatën komerciale dhe do të punohet për verifikimin dhe regjistrimin e saktë të pronave.

• Do të heqim monopolet dhe do të luftojmë evazionin fiskal në biznes dhe do të ofrojmë një mjedis të barabartë.

• Do të themelojmë Fondin Zhvillimor dhe do të rrisim qasjen në financa për të përkrahur ndërmarrësit.

• Do të transformojmë Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe do të krijojmë Fondin Sovran.

• Do të promovojmë politikat e turizmit duke mbështetur parqet nacionale, sikurse Malet e Sharrit.

• Do të përmirësojmë të drejtat e punëtorëve për punë dhe pagë të dinjitetshme duke fuqizuar sindikatat dhe duke rritur sigurinë shëndetin në punë.

• Do të rishikojmë politikat e sektorit të bujqësisë për të rritur prodhimtarinë dhe do të promovojmë ato duke ristrukturuar e përmirësuar punën e KIESA-s.

• Do të rrisim bazën prodhuese që ta zbusim deficin e madh tregtar duke rritur eksportet e zëvendesuar importet.

• Politikat tona tregtare do të jenë që tregu të liberalizohet, por edhe do të mbrohet nga konkurenca jolojale përmes parimit të reciprocitetit dhe masave tregtare.

• Arsimi dhe shkenca janë prioritet jo vetëm për të zvogëluar hendekun mes tregut dhe edukimit por edhe për të investuar në kapitalin njerëzor si pasuri kombëtare. Do të investojmë në edukimin e hershëm dhe në rritjen e cilësisë në shkolla të mesme e profesionale.

• Në shëndetësi do të punojmë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe do të funksionalizojmë fondin e shërbimeve shëndetësore.

• Do të fillohet me një reformë të politikave sociale e cila synon shpërndarjen e mirëqenies dhe përmirësimin e gjendjes së familjeve me fëmijë.

• Mjedisi do të mbrohet. Ndotja krysore vjen nga termocentralet dhe do të investohet në filtra, por do të punohet në rritjen e nxitjen e transportit publik për të reduktuar ndotjen nga makinat, do të punohet në pyllëzim dhe në mbrojtjen e ujrave si dhe në eleminimin e deponive të hapura.

• Investimet në infrastrukturë do të fokusohen në rrjetet e kanalizimeve, ujësjellësve, trotuarve dhe ndriçimeve për të rritur sigurinë, pastërtinë, dhe mobilitetin, por edhe në zgjerimin e rrugëve të cilat lidhin komunitetet.

• Do të punojmë në krijimin e një zone të përbashkët energjetike Kosovë – Shqipëri. Do të liberalizojmë dhe diversifikojmë burimet e energjisë si dhe do të ndalojmë humbjet e do të rrisim e stabilizojmë prodhimin.

• Do të investojmë në miniera dhe në asete tjera strategjike përmes Fondit Sovran.

• Do të investojmë në sport dhe do të promovojmë kulturën duke investuar në infrastrukturë dhe duke ofruar mbështetje.

• Synimi ynë është anëtarësimi në NATO prandaj edhe do të investojmë në mbrojtje që të rrisim kapacitetet e FSK-së.

• Shërbimi i jashtëm duhet të rishikohet në mënyrë që të garantojë përfaqësim të denjë për republikën.

• Njohjet dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare janë prioritet për shtetin tonë.

• Anëtarësimi në BE mbetet prioritet kurse dialogu me Serbinë të jetë mirë i përgatitur e parimor, për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura.

• Mërgata do të jetë edhe brenda qeverisë. Barrierat e votimit jashtë dhe të mësimit në gjuhën shqipe do të lehtësohen si dhe do të rritet komunikimi e bashkëveprimi.

Këto janë temat e çështjet në të cilat këtë vit qeveria duhet të punojë që të japë rezultatet e para.

Sfidat janë të shumta sepse problemet që përballemi janë të mëdha, por ne nuk do të ikim nga problemet e as t’i evitojmë ato.

Ajo që nuk do të duhej të bënim është që të sfidojmë njëri-tjetrin.

Kërkohet bashkëpunim dhe përkrahje sepse prioritet kemi qytetarin, mirëqenia e tij është matësi i progresit dhe i suksesit tonë.

Natyrisht është përgjegjësi e jona si qeveri që të ofrojmë lidership. Vendi ynë ka nevojë për hapje të mundësive për lëvizje të lirë, për investime e për tregti, këtë e kuptojmë dhe për këtë punojmë.

Por, para se ky të jetë synim e motiv duhet të jetë përgjegjësi. Ne jemi pasqyra ku qytetarët shohin vetveten në shtetin e tyre. Nuk është vetëm cilësia e vendimeve që marrim por edhe mënyra se si ne e ushtrojmë funksionin ajo që tregon për modelin tonë qeverisës. Të punojmë me përulësi e thjeshtësi, por me shumë profesionalizëm e përkushtim.

Është më mirë të marrim me shumë seriozitet përgjegjësitë që kemi se sa të shqetësohemi se si dukemi.

Udhëtimet jashtë e brenda vendit janë në funksion të arritjes së qëllimeve programore e objektivave shtetrore e jo në funksion të vetvetes.

Jam i bindur që secili nga ju tashmë keni entuziazmin për të arritur qëllimet në këtë program sepse entuziazmi juaj buron nga qytetarët tanë dhe devocioni juaj. Në çdo intervistë ata janë të mbushur me shpresë se do të bëhet mirë më në fund.

Mundësinë e kemi, vullnetin dhe kapacitetin gjithashtu, prandaj le të mos ngatërrohemi me njëri-tjetrin, por të shikojmë kah vetja.

Përvojën e dijen që keni, mundësia që na është dhënë, le të përdoren për të mirë. Ky është shansi unik që secili nga ne të jap maksimumin.

Zyra ime është e hapur çdo ditë për secilin. Në punë dhe ide të mira mua më keni prapa në secilin hap edhe me buxhet edhe me përkrahje.

Sfida ka plot, por po ashtu jemi me plot shpresë.

Fillimin e kemi të mbarë, prandaj le të vazhdojmë me punë dhe angazhim.

Në këto 100 ditë punë, le të bëjmë gara për arritjen e objektivave e jo me njëri-tjetrin. Ne jemi anëtarë të të njëjtit ekip. Neve na bën ata që jemi ekipi, dhe çdonjëri nga ne e përbën ekipin. Ekipi na e jep kuptimin, ne ia japim përmbajtjen.

Unë dua t’ju përgëzoj për punën e mirë të deritashme që keni bërë secili prej jush, zëvendës kryeministra e ministra dhe të gjitha ekipet e secilit prej jush këtu.

https://www.facebook.com/albini2017/photos/a.229545544212004/815624535604099/?type=3&theater

Qeveria e Kosovës është mbledhur sot në Prevallë për të harmonizuar programin qeverisës. Të pranishëm në mbledhje janë anëtarët e kabinetit qeveritar dhe stafi i zyrës së kryeministrit./Gazeta Sinjali/