Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shkroi Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, duke i thënë se ekipin e Kosovës në dialog do ta udhëhiqte ai.
Kurti i shpjegoi se plani i tij është që të krijojë një ekip gjithëpërfshirës dhe të balancuar në baza gjinore. Përveç atij si kryeministër dhe udhëheqës i ekipit, aty do të ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani si dhe përfaqësuesit e shtatë partive parlamentare.
Po ashtu, është përmendur dhe një ekip teknik që do të emërohet posa të përpilohet lista e çështjeve që duhet të trajtohen, dhe posa të dakordohet ajo bashkërisht në nivel politik.
Kurti tha se është në proces të planifikimit, për krijimin e një ekipi të profesionistëve dhe ekspertëve më të mirë n ga akademia dhe shoqëria civile, të cilët do të përgatitnin dhe zhvillonin dialogun për fusha dhe çështje të caktuara.
Sot, Kurti deklaroi se i duhet të përgatitet për dialogun edhe pse në këto kohë nuk prioritet nacional bisedimet me Serbinë. Ai tha se do të jetë shumë e rëndësishme edhe gatishmëria e partive politike për ekipin e parë.
“Natyrisht që jemi të përqendruar në luftimin e pandemisë COVID19, por paralelisht me këshilltarët e mi politikë kam bërë edhe një lloj plani se si do të zhvillohet dialogu me Serbinë dhe besoj që për mua si kryeministër janë të nevojshme dy ekipe krahas njëra-tjetrës. Ekipi i parë do jetë politik i cili do përbëhet nga kryeministri, presidenti, kryeparlamentarja dhe nga një përfaqësues i shtatë partive politike parlamentare duke e bërë kësisoj këtë ekip dhjetë anëtarësh. Në anën tjetër nevojitët një ekip prej ekspertësh të fushave të ndryshme meqenëse në dialog me Serbinë ka aq shumë tema që duhet ngritur dhe unë jam në përgatitje të një ekipi të tillë. Por, po e theksoj nuk është prioritet nacional dhe shtetëror e qeveritar një gjë e tillë, por nuk e lëmë anash, e bëjmë edhe atë përgatitje. Nuk mund të flas tash se çfarë do të jetë suksesi formimi i këtyre ekipeve. Për ekipin e dytë do të varet më shumë prej meje. Për ekipin e parë politik përfaqësues do varet edhe nga gatishmëria e tyre”, tha ai./Gazeta Sinjali/