Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar që Garda Vullnetare Shqiptare, ka kërcënuar seriozisht edhe pse presidenti Hashim Thaçi e cilësoi një shpifje e fabrikuar nga zyrat e VV-së.
Ai tha se nuk trembet nga asnjë lloj kërcënimi, duke shtuar se ajo letër ishte më tepër presion ndaj Kushtetueses që më 29 maj do të vendosë për dekretin e presidentit për emrin e mandatarit.
“Presidenti tha se unë e kam shkruar kërcënimin ndaj vetes, nëse ka fakte të tilla duhet urgjentisht të intervistohet nga prokuroria. Por nuk është duke u bërë kjo gjë. Ata që më njohin e dinë se te unë nuk funksionojnë kërcënimet. Nuk jam person që zmbrapsem apo kërcënohem”, tha Kurti.
Ai më tutje insistoi se presidenti është në shpërputhje me Kushtetuesen dhe se nga ana e tij ekziston një trysni ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“Ka vetëm një shpjegim, praktikisht e kanë me Gjykatën Kushtetuese se mos rastësisht po ua zhvlerëson Presidentin, përkatësisht dekretin presidencial që qartazi është në shpërputhje me Kushtetutën. Ekziston një trysni në kontekstin aktual politik për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese që do ta publikojë këtë javë aktgjykimin e saj”, u shpreh Kurti në Ora News.
Sa i takon akuzave të fundit nga presidenti se ka uzurpuar zyrën e Kryeministrit, Albin Kurti thotë se Thaçi duhet të japë dorëheqjen dhe të futet në garën zgjedhore se nuk mund të bëjë opozitë nga kolltuku i presidentit.
“Nuk mund të kem koment për një president që sillet në shpërputhje me mandatin dhe kompetencat e tij. Nuk përfaqëson unitetin e popullit, po sillet si një nga liderët opozitarë. Është mirë të dorëhiqet, të lëshojë atë ulësen ku nuk po ndihet rehat dhe të vijë në garë zgjedhore në zgjedhjet e radhës”, tha ai./ Gazeta Sinjali/