image Kurti ia kthen Escobarit: Kam sfida me emisarët, raportet me SHBA-në dhe BE-në janë të shkëlqyera

Politikë

Kurti ia kthen Escobarit: Kam sfida me emisarët, raportet me SHBA-në dhe BE-në janë të shkëlqyera

news image

Kryeministri Albin Kurti pas zhvillimeve të fundit në veri, ka thënë disa fjalë për sfidat me emisarët e BE-së dhe SHBA-së, ku foli edhe për raportet me këta aleatë.

Ai tha se raportet mes Kosovës, BE-së dhe SHBA-së janë të shkëlqyera, duke u shprehur optimist edhe për sqarimin e paqartësive me emisarët e tyre.

“Kam qenë konstruktiv, i përkushtuar, kreativ dhe jam që të gjitha këto, por nuk mendoj që këto gjëra zgjidhen me trysni e me përmendje pasojash, ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor. Unë jam i bindur që do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët evropianë dhe amerikanë, por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe SHBA-në janë të shkëlqyeshme”, tha Kurti para gazetarëve sot.

Kjo deklaratë e Kurtit vjen pas asaj që tha Escobar se vështirësitë i kanë me kryeministrin Kurti, por se ato s’i prekin raportet mes popujve.

“Shpresoj se njerëzit e kuptojnë se çfarëdo vështirësi që i kemi me kryeministrin Kurti nuk e afektojnë këtë sentiment. Por i kemi disa sfida në raportet bilaterale derisa po merremi me Kryeministrin Kurti. Dua të jem shumë i sinqertë, SHBA ka qenë përkrahësi juaj më i madh dhe më dhemb që shoh se njerëzit mendoj se disi po e çojmë raportin tonë me Kosovën për përfitime të Serbisë”.

Gjatë takimit më 5 qershor në Prishtinë me Escobarin dhe Lajçakun, Kurti tha se ka ofruar një “dalje të qëndrueshme dhe të sigurt” nga kriza në veri, e cila, sipas tij është shkaktuar “nga strukturat ilegale dhe paralele të Serbisë atje”.

/GazetaSinjali/