Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas letrës të cilin ia dërgoi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ku i kërkon që ta heqë taksën dhe t’i normalizojë raportet me Serbinë.
Kurti e ndjen obligimin për ta hequr taksën në mënyrë që Kosova dhe Serbia të rikthehen në tavolinën e bisedimeve, teksa ka thënë se kësaj do t’i paraprijë vendosja e reciprocitetit të plotë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë që të bëjmë dialog me parime e të përgatitur mirë dhe që ta heqim tarifën 100% porsa ta vendosim reciprocitetin. Më 6 tetor në kudër te fushatës sonë patëm fituar në zgjedhje me këtë zotim që ne e kemi obligim që t’ia mbajmë popullit tonë. Nuk e kemi vënë ne tarifën, ne e duam reciprocitetin, por tash kur nuk janë bërë më shumë se 10 ditë në detyrë, ne e kemi për obligim që t’i bëjmë përgatitjet e duhura për vendosjen e reciprocitetit dhe menjëhere ta heqim tarifën 100%”, tha Kurti për rtv21.
Pompeo i ka kërkuar Kurtit që ta heqë taksën ndaj Serbisë dha t’i normalizojë raportet me të.
“Ne e mirëpresimin zotimin tuaj për ta luftuar korrupsionin derisa përpiqeni t’i përkrahni aspiratat e popullit të Kosovës, përfshirë dëshirën e tyre për transparencë më të madhe dhe mundësi ekonomike. Tani është koha ta kuptoni se normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve me Serbinë, i fokusuar në njohjen e dyanshme, është esencial për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës. Shtetet e Bashkuara do t’ju qëndrojnë në krah, në përkrahje të këtij procesi”, ka shkruar Pompeo në letrën dërguar Kurtit. /Gazeta Sinjali/