image Kurti: Grenell e di përmbajtjen e bisedimeve sekrete ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit

Kosovë

Kurti: Grenell e di përmbajtjen e bisedimeve sekrete ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit

news image

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një intervistë të gjatë për mediumin amerikan “Foreign Policy”, ka përsëritur qëndrimin e tij se emisari i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, është në anën e Beogradit.

Kurti ka thënë se Grenell mund të mos ketë marrë pjesë në marrëveshjen ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq, por është shprehur i bindur se ai është i informuar për bisedimet sekrete dhe përmbajtjen e tyre, transmeton Gazeta Sinjali.

“Mendoj se ai mund të mos ketë marrë pjesë në marrëveshjen në mes të Thaçit dhe Vuçiqit, por jam i sigurt se ai është në dijeni lidhur me bisedimet sekrete dhe se e di përmbajtjen e tyre”, ka deklaruar Kurti për “Foreign Policy”.

Tutje, Kurti ka thënë se Grenellit dhe SHBA-së i duhet një marrëveshje finale Kosovë-Serbi, edhe nëse ajo përmban shkëmbim territoresh.

“Atij i duhet një marrëveshje. Atij i duhet një marrëveshje, të cilën mund të tregojë se krizat ndërkombëtare mund të zgjidhen paqësisht, edhe nëse nënkupton shkëmbim territoresh. Mendoj që shkëmbimi territorial shkakton më shumë refugjatë e më shumë konflikte dhe jo kufij të rinj ashtu siç mund t’i mendojnë ata. Mund t’i vizatosh në një copë letre, por pastaj në realitetin në terren, nuk mund të bëhen pa konflikt”, ka thënë Kurti.

“E unë mund ta imagjinoj se ai është i interesuar për nënshkrime në fund të marrëveshjes, e jo për tekstin mbi nënshkrime. Ngutja e tij e shtyn atë në të njëjtën anë me Beogradin, sepse nëse do marrëveshje të shpejtë, atëherë ushtron presion mbi palën e dobët”, ka shtuar ai.

Të hënën, emisari Grenell ka shkruar në Twitter se “Absolutisht nuk ka pasur asnjë bisedë për shkëmbim territoresh nga unë dhe kjo nuk është diskutuar kurrë nga ndokush në prezencën time”. /Gazeta Sinjali/