image Kurti flet pas takimit me Thaçin, nuk ia përmend emrin presidentit asnjëherë

Kosovë

Qeveria/ Kurti flet pas takimit me Thaçin, nuk ia përmend emrin presidentit asnjëherë

news image

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje është ndalur të flas për media pas takimit më të shkurtër se 5 minuta të cilin e pati me presidentin e vendit, Hashim Thaçin.

Në takimin me presidentin e Kosovës, të cilit s’ia përmendi emrin asnjëherë gjatë prononcimit, Kurti tha se Thaçi ia ka kërkuar propozimin e mandatarit për formimin e qeverisë.

“Sot isha në takim me presidentin e Republikës, me ftesë të këtij të fundit. Ky ishte takim një takim i shkurtër konsultativ pa efekte juridike. Unë isha së bashku me sekretarin për marrëdhënie me jashtë në Lëvizjen Vetëvendosje, z.Kreshnik Ahmetin dhe me këshilltarin tonë ligjor, z.Blerim Sallahun lidhur me fazën e ardhshme të konstituimit të institucioneve si të dalura pas zgjedhjeve të 6 tetorit që sot i kanë mbushur saktësisht 3 muaj. Në këtë takim disa minutësh unë dëgjova  presidentin i cili shprehu interesimin e tij për formimin sa më të shpejtë të qeverisë, mirëpo tha edhe se e di që u nevojitet një kohë e caktuar për këtë gjë. Por gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin”, tha Kurti.

Pavarësisht kërkesës, Kurti nuk ia ka dhënë ndonjë propozim atij, duke e arsyetuar këtë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij udhëzon partinë e parë që propozimin ta bëj përmes një letre me shkrim.

“Në bazë të Kushtetutës dhe aktgjykimit siç e kemi lexuar ne, këtë duhet ta bëjmë me një shkresë me shkrim, prandaj për këtë kërkesë unë do të raportoj në Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe sa më parë do t’ia sjellim presidentit të Republikës propozimin tonë për kryeministrin e ardhshëm që ai duhet ta mandatojë sipas obligimit kushtetues që ka në bazë të funksionit që ushtron”, ka thënë Kurti.

Takimi ndërmjet Kurtit dhe Thaçit nuk ka zgjatur as 5 minuta. /Gazeta Sinjali/