image Kurti falënderon Albright për bashkëpunim dhe shpreh gatishmërinë për vazhdimin e tij drejt zbatimit të Programit Kompakt

Politikë

Kurti falënderon Albright për bashkëpunim dhe shpreh gatishmërinë për vazhdimin e tij drejt zbatimit të Programit Kompakt

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim Shefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright. Në këtë takim kanë qenë prezentë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shkruan Gazeta Express.

Në një komunikatë, ZKM ka njoftuar se Kurti e ka falënderuar Albright për “bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e tij drejt zbatimit sa më shpejtë të Programit Kompakt në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në korrik të këtij viti”.

“Marrëveshja me MCC-në për Programin Kompakt vjen në një moment kritik. Republika e Kosovës synon një ekonomi të orientuar kah eksporti dhe rritje të kapaciteteve të energjisë së ripërtritshme. Për të dy këto, Programi Kompakt dhe MCC-ja janë shumë të rëndësishme”, tha kryeministri Kurti.

Ndërsa, Alice Albright u shpreh falënderuese për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe dha gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të saj. Ajo tha se Programi Kompakt është projekt afatgjatë për Kosovën, me prioritet edhe për vetë MCC-në.

Programi Kompakt përfshin tri projekte:

1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë prej 340 MËh,

2. Zhvillimin e fuqisë punëtore, me theks të veçantë në përfshirjen e grave në sektor të energjisë, si dhe

3. Projektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

/GazetaSinjali/