image Kurti edhe sot në Bruksel, takohet me Sekretarin e NATO-s

Politikë

Kurti edhe sot në Bruksel, takohet me Sekretarin e NATO-s

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të takojë në Bruksel Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Njoftimi për këtë takim është bërë publik në faqen zytare të NATO-s, ku Kurtit nuk i janë referuar si kryeministër.

“Të Enjten, 29 Prill 2021, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Z. Jens Stoltenberg, do të takohet me Z. Albin Kurti nga Kosova në Selinë e NATO-s” thuhet në njoftim.

Kujtojmë se dje nga Brukseli, Kurti ka thënë para mediave se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.

Kurti ka nisur të mërkurën takimet zyrtare në Bruksel, në udhëtimin e tij të parë prej kur mori mandatin në krye të Qeverisë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Në delegacion me kryeministrin janë edhe dy zëvendëskryeministra, Donika Gërvalla, për Punë të Jashtme dhe ai për Çështje Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi.

/GazetaSinjali/