image Kurti: Edhe në vitin 2014 na u bë e padrejtë, por edhe tash

Kosovë

Politikë/ Kurti: Edhe në vitin 2014 na u bë e padrejtë, por edhe tash

news image

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar të komentojë zgjedhjen e emrit të Avdullah Hotit si propozim për mandatar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, shkruan Gazeta Sinajli.

Kurti tha se nuk i takon në pozitën që është të komentojë zhvillimet brenda partive politike, por tha se Vetëvendosje do t’i bëjë vlerësimet vetëm pas shkresave zyrtare.

“Nuk do të preferoja të komentojë si kryeministër në detyrë zhvillimet në një parti politike. Porsa u ktheva nga Mamusha dhe Rahoveci dhe nuk kam pasë kohë t’i ndjekë se kush krejt çfarë tha. Porsa t’i shohim dokumentet zyrtare në tekst do të mund të japim vlerësimet”, rha ai.

Kurti tha se në vitin 2014 kanë pranuar aktgjykimin e Kushtetueses ku të parin e zgjedhjeve e ka quajtur si shumicë relative, por ai tha se tani po veprohet në kundërshtim me këtë vendim dhe se po iu bëhet padrejtësi e dyfishtë.

“Në 2014 kemi konsideruar se shumica parlamentare e krijon qeverinë, por pati një aktgjykim të Kushtetueses. Ne ishim kritik por e kemi pranuar atë aktgjykim. VV-në e kanë akuzuar se nuk po e pranon të parin në garë. Ne e kemi pranuar aktgjykimin dhe nga viti 2015 jemi sjellë konform saj sepse edhe u thye fronti i VLAN si rezistencë ndaj kapjes së shtetit”.

“Tash dolëm të parët dhe ndryshuan rregullat e lojës. Atë aktgjykim e pranuam dhe tash po thonë le të kthehemi atje që është padrejtësi e dyfishtë. Edhe atëherë na u bë e padrejtë, por edhe tash”.

Kurti tha se sapo u fitua pavarësia nga PAN-i dhe Lista Serbe, LDK sërish po varet nga këta.

“Nga pavarësia prej PAN dhe Listës Serbe po synohet të kalohet në një varësi të dyfishtë”./Gazeta Sinjali/