image Kurti e Vuçiq takohen nesër në Bruksel, SHBA kërkon marrëveshje për targat

Politikë

Kurti e Vuçiq takohen nesër në Bruksel, SHBA kërkon marrëveshje për targat

news image

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se shpresojnë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje “në ditët në vijim” për çështjen e targave.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë se pajtohen me Bashkimin Evropian që zhvillimet e fundit janë shqetësuese dhe se vënë në rrezik përparimin e arritur në dialog.

Këto reagime të SHBA-së vijnë një ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të takohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian mbi çështjen e targave ilegale serbe të cilat përdoren në veri të Kosovës.

“Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës, vënë në rrezik të panevojshëm jetën e personave të pafajshëm dhe të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Autoritetet në Kosovë kanë njoftuar se nga 22 nëntori do të nisin shqiptimin e gjobave prej 150 euro për shoferët në veri që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale.

Serbët në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjoba, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa.

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 20 nëntor se nuk është optimist për në Bruksel.

“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiq më 20 nëntor në një intervistë për televizionin Prva.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kundër formimit të asociacionit një etnik.

Lidhur me targa, ai ka pranuar më 18 nëntor se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është në komunikim të vazhdueshëm me Brukselin për ta zgjidhur çështjen e targave.

Sipas tij, në ditët në vijim do të shihet nëse do të kenë sukses negociatat e reja.

“Janë 9 mijë vetura me targa ilegale serbe. Kjo është më pak se 10 për qind e veturave që i kanë serbët në Kosovë, kështu që është një pakicë ekstreme e serbëve që janë duke refuzuar këto targa. Kemi pasur një dallim në qasje dhe sekuencim të zbatimit, duke nisur vetëm me qortim”, ka thënë Kurti.

/GazetaSinjali/