image Kurti e nderon me mirënjohje Plenkoviqin

Politikë

Kurti e nderon me mirënjohje Plenkoviqin

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ndarë Mirënjohje, homologut të tij kroat, për miqësinë, marrëdhëniet e shkëlqyeshme dhe mbështetjen historike të Republikës së Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit.

Në takimin e sotëm mes dy kryeministrave ishin të pranishëm edhe Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, dhe Enver Dugolli, deputet i Kuvendit të Kosovës, Grupi i Miqësisë Kosovë – Kroaci; me anëtarët e delegacionit kroat: Znj. Danijela Barishiq, Ambasadore e Kroacisë në Kosovë, Zvonko Milas, Shef i Zyrës Qendrore Shtetërore për Kroatët Jashtë vendit, znj. Ermina Lekaj Përlaskaj, deputete e Kuvendit të Kroacisë, dr. Josip Samarxhiq, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Slavonski Brod, si dhe  Josip Glasnoviq, fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike në Rio 2016.

Në takimin e përbashkët ndërmjet dy kryeministrave, anëtarëve të kabineteve e përfaqësuesve të tjerë institucionalë, u theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet dy popujve dhe dy republikave.

Po ashtu, u bisedua për mundësitë e potencialin që kanë dy qeveritë për bashkëpunim bilateral, që do të sigurojë ringjallje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë COVID-19, duke përfshirë ngritjen e investimeve si dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare.

Ndër të tjera, u diskutuan hapa konkret drejt avancimit të zbatimit të dymbëdhjetë marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet dy shteteve, për arsimin, shkencën, kulturën dhe ekonominë, si dhe shtatë marrëveshje të tjera, që pritet të finalizohen së shpejti./GazetaSinjali/