image Kurti e Mustafa nesër në takim për finalizimin e marrëveshjes

Kosovë

Detaje/ Kurti e Mustafa nesër në takim për finalizimin e marrëveshjes

news image

Dy ditë para seancës së Kuvendit për formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në prag të marrëveshjes për bashkëqeverisje. Gazeta Sinjali, mëson nga burime të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, se nesër (e diel) do të mbahet një takim mes Kurtit e Mustafës për finalizimin e marrëveshjes.

Përveç udhëheqësve të partive, Albin Kurtit e Isa Mustafës, në takim do të jenë pjesëmarrës edhe delegacione të dy partive, thekson më tej burimi i afërt me LVV-në.

Bëhet e ditur se Vetëvendosje dhe LDK janë pajtuar që të bëjnë ndarjen e përgjegjësive në mënyrë që t’i kontribuojnë jetës së qytetarëve dhe votës së tyre për ndryshim.  

Ajo që tashmë dihet është dorëheqja e Glauk Konjufcës nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Njeriu i dytë më i rëndësishëm në Lëvizjven Vetëvendosje, pas Albin Kurtit, Glauk Konjufca pritet që të udhëheqë me diplomacinë e shtetit.

Në vend të Konjufcës pritet të vije Vjosa Osmani nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

I njëjti burim thotë se Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkesë që të rritet numri i ministrive në 15, ku tri nga këto ministri planifikohej t’u ndaheshin komuniteteve joshumicë.

Në Vetëvendosje përveç ndryshimit për Blerim Rekën si ministër i Jashtëm, nuk janë ndërruar emrat e tjerë të propozuar nga Kurti për ministra, shprehet më tej burimi.

Sipas tij, ende nuk janë diskutuar emrat e ministrave nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ende nuk dihet se kush nga LDK do t’i përfaqësojë institucionet e shtetit”, përfundon ky burim.

Kujtojmë se as Isa Mustafa e as Albin Kurti nuk kanë folur lidhur me raportimet e mediave për ndarjen e përgjegjësive dhe arritjen e marrëveshjes.

Dita e diel pritet të jetë finale për arritjen e ‘koalicionit të shpresës’. /Gazeta Sinjali/