Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se ende nuk e ka lexuar raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Liqenin e Ujmanit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, ekipet që merren me këtë çështje do e analizojnë këtë raport dhe më pas do të dalin me një qëndrim.
“Nuk e kam lexuar ende raportin, kemi ekipet që merren me këtë gjë, dhe pastaj do ta komentojmë”, ka thënë Kurti.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dorëzuan Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që ishte pjesë e Marrëveshjes së 4 Shtatorit 2020, e cila u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prezencë edhe të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Me këtë marrëveshje synohej përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi.
Në njoftimin e Ambasadës amerikane në Kosovë thuhet se raporti i Departamentit Amerikan të Energjisë, propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që gjendet në pjesën veriore të Kosovës dhe që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. /GazetaSinjali/