image Kurti: Dialogu s'është neglizhuar nga ne, mund të rifillojë në qershor

Politikë

Kurti: Dialogu s’është neglizhuar nga ne, mund të rifillojë në qershor

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli rreth dialogut me Serbinë pas takimit me Përfaqësuesin e BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një konferencë për media, Kurti u shpreh se dialogu nuk është neglizhuar nga ta, teksa shtoi se do të marrë pjesë në takimin e liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Dialogu nuk është neglizhuar nga ne. Prandaj zëvendëskryeministri i ri është i angazhuar me këtë çështje. Unë do të vij në mes të muajit maj në Bruksel në darkën që ju keni organizuar me liderët e Ballkanit Perëndimor. Dhe ne në këtë mënyrë besoj se do ta zhvillojmë kapitullin tjetër të dialogut për t’i realizuar marrëveshjet e arritura. Ju mund të llogarisni në gatishmërinë time”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Por, Kurti vijoi ta theksonte më shumë takimin ku do të marrin pjesë të gjithë liderët e vendeve të Bashkimit Evropian.

“Për të vendosur të gjitha çështjet e Ballkanit Perëndimor në tavolinë duhet të jemi të gjashtë vendet dhe nuk ka vend më të mirë sesa Brukseli për një takim të tillë”, tha Kurti.

Po ashtu, ai tha se gjatë muajit maj do të takohen me opozitën në Kosovë për të diskutuar më mirë çështjen e dialogut teksa shtoi se kanë nevojë për më shumë kohë për të pasur më shumë informacione dhe dokumentet e marrëveshjeve të kaluara, pasi që nuk ka vend për gabime tjera në këtë proces.

“Javën e ardhshme do të aprovojmë programin qeverisës, dhe planin e punës dhe ai duhet të dërgohet për diskutim në Parlamentin e Kosovës. Në anën tjetër, kemi nevojë për më shumë informacione dhe dokumente për marrëveshjet e kaluara dhe procesit në përgjithësi për tu përgatitur për këtë. Gjatë muajit maj do të takojmë opozitën në Kosovë që të kemi edhe kontributin e tyre. Duam të kemi një dialog të përgatitur mirë.

Nuk duam të bëjmë gabime, dhe kjo tregon se po e marrim shumë seriozisht. Vetëm duan dialog të përgatitur mirë. Fillimisht në maj do të kemi këtë darkën e punës me prijësit e Ballkanit Perëndimor, pastaj dikur në qershor mund të fillojmë me kapitullin tjetër të dialogut me praninë edhe të ndërmjetësuesve të BE-së”, tha Kurti.

/Gazeta Sinjali/