Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot në Bruksel, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky takim është i pari ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.
Në lidhje me këtë takim, Kurti ka thënë se udhëton për në Bruksel, jo për ta vazhduar dialogun, por për të folur për të ardhmen e dialogut.
“Ne mendojmë që dialogu i ardhshëm me palën tjetër ka nevojë për një platformë dhe strategji. Ne ende nuk jemi ulur në tavolinë me palën tjetër dhe rrjedhimisht nuk mund të flitet për asnjë lloj dialogu”, ka thënë Kurti në Kuvend para disa ditësh.
Ndërsa, Vuçiq nga ana tjetër insiston se në Bruksel do të flasë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, gjë që Prishtina zyrtare e hedh poshtë.
“Për ata që presin se do të firmosim pavarësinë e Kosovës, mund të them se kjo nuk do të ndodhë kurrë. Jam i shqetësuar për Deçanin (Manastirin v.j.), shpresoj se nuk do të shkojë në mendje asnjë aksion pushtues, Kur dikush ëndërron se ka shtet, e nuk e ka, më pas shpik vula të ndryshme.”
“Mendojnë se janë shumë të fortë, por këtë ua ka mundësuar ish-pushteti (i Serbisë v.j.). Le të tregohen të dhunshëm, kjo tregon për dobësitë e tyre. Kanë treguar se sa janë nervoz dhe se nuk dinë çfarë të bëjnë me veten. Nuk ka fuqi që mund të na shtyjë të bëjmë diçka kundër interesave tona vitale”, ka shkruar Vuçiq në Twitter.
Agjenda:
Në orën 08:20 është planifikuar arritja e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell.
Pastaj, në orën 10:30, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Joseph Borrell, do të ketë takime bilaterale të ndara, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e pastaj edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kurse, një tryezë e përbashkët plenare është planifikuar për orën 11:00.
Në orën 12:30 është paralajmëruar një konferencë për media e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak./Gazeta Sinjali/