image Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

Politikë

Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet sot për herë të dytë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano. Ai ka konfirmuar se ata do të vazhdojnë bisedimet në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky takim i nivelit të lartë të dialogut, do të fokusohet në diskutimin për progresin e arritur, për hapat e ardhshëm në dialog, i cili është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.

Pasi që, Kurti e Vuçiq, u takuan më 15 qershor në Bruksel, po nuk arritën ndonjë përparim. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, sërish kërkoi që “Kosova të përmbushë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ndërsa kryeministri Kurti thotë, se Kosova “nuk mund të lejojë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës” dhe në vend të asociacionit propozoi krijimin e Këshillit Kombëtar për serbët e Kosovës, ngjashëm siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

Në takimin e fundit të 15 qershorit, kryeministri Kurti bëri katër propozime, përfshirë atë që, “Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët paqeje duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën”.

Në fund palët kanë thënë se nuk janë pajtuar për asgjë, mirëpo kanë shprehur gatishmëri për vazhdim të dialogut.

Kujtojmë se në Bruksel janë takuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Mirëpo as në këtë takim nuk është arritur ndonjë përparim./Gazeta Sinjali/