Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi do ta përfaqësojnë Kosovën sot në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.
Gjatë ditës së djeshme, Kurti e ftoi Thaçin për një takim paraprak ku do t’i koordinonin qëndrimet përpara kësaj konference, teksa presidenti veçse ishte nisur për Gjermani.
Sot, Kurti dhe Thaçi do të kenë rastin në këtë konferencë të takojnë udhëheqës politikë e ushtarakë nga mbarë bota, por në veçanti, do të përballen direkt me kërkesën për heqjen e taksës, me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, shkruan Gazeta Sinjali.
Pompeo dje ia ka dërguar një letër Kurtit, ku i ka kërkuar që ta heq taksën dhe t’i normalizojë raportet me Serbinë.
Thaçi nuk është kundër heqjes së taksës, ndërkaq nuk është deklaruar për idenë e reciprocitetit të plotë. Në anën tjetër, Kurti dhe qeveria e tij e kanë në plan që të vendosin reciprocitet të plotë me Serbinë, por për këtë, ekzekutivit kosovar i duhet mendimi i SHBA-së.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dërguar një delegacion të madh në Mynih, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper dhe Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, një sinjal ky se Washingtoni do që t’i kundërshtojë akuzat se po tërhiqet nga angazhimi, thotë analistja Elisabeth Braw e Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.
Kryetema e kësaj konference do të jetë problemi i SHBA-së me Iranin, por Kosova, ndonëse si çështje minore në këtë takim, do të ketë po ashtu vëmendjën e ndoshta edhe presionin e liderëve botërorë. /Gazeta Sinjali/