Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është ndalur të flas për media para mbledhjes së Këshillit të Partisë, ku u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve kryesisht rreth ftesave nga presidenti Hashim Thaçi për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë.
Kurti tha se datën e formimit të qeverisë atij ia përcakton LDK-ja dhe jo presidenti i vendit, shkruan Gazeta Sinjali
“Presidenti e ka përcaktuar datën e seancës konstituive për 26 dhjetor ku ne ishim aty dhe në kohë rekord e konstituuam Kuvendin. Pra presidenti përcakton datën e konstituimit të Kuvendit, jo të qeverisë, datën e formimit të qeverisë e përcakton tjetërkush. Mua datën për formimin e qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës, jo presidenti i Republikës, këtu nuk bën të ketë diskutime. Normalisht që do të ndodhë takimi konsultativ”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar veprimin e presidentit që ta shfrytëzojë menjëherë të drejtën e tij për ta caktuar Kurtin si mandatar për formimin e qeverisë, të cilin ai e quan “kërcim nga një ekstrem në ekstremin tjetër”.
“Ta vonosh maksimalisht 30 ditë konstituimin e Kuvendit e mandej t’i dërgosh dy ftesa në ditë është kërcim prej një ekstremi në një ekstrem tjetër, secila më gabim se tjetra. Pra takimi me siguri do të ndodhë, unë do ta marr mandatin. Ndërkohë po i intensifikojmë komunikimet për bashkëpunim e marrëveshje me LDK-në. Ne e kemi qëndrimin tonë, ata e kanë qëndrimin e tyre, prandaj duhet të takohemi, të bisedojmë, sepse edhe ne e duam marrëveshjen e edhe populli”, ka thënë Kurti.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, Kurti do të pres këshilla nga anëtarët në lidhje me përpjekjet dramatike për formimin e qeverisë së re. /Gazeta Sinjali/