Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me homologun e tij Edi Rama, në një konferencë të përbashkët, ka deklaruar se të dy shtetet duhet të bashkëpunojnë në fushën e drejtësisë, transmeton Gazeta Sinjali.
Kurti ka deklaruar se buldozerët e vendosur në rrugë nga ana e serbëve janë për të sulmuar policët kufitarë në rast se ata janë të vetmuar.
Tutje ai ka shtuar se kjo është arsyeja që Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po qëndron në Bërnjak dhe Jarinje në mënyrë që të mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitarë.
“Njësia Speciale e Republikës së Kosovës nuk është në Bërnjak dhe Jarinje në mënyrë që ne të kënaqemi t’i gëzohemi kësaj situate. Ata aty janë me detyrë dhe detyra e tyre është që të mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitarë. Ne kemi mjaftueshëm indikacione se po të mos ishte Njësia Speciale e Policisë së Kosovës në Bërnjak dhe në Jarinje, policët tanë kufitarë dhe godinat aty do të ishin të rrezikuara seriozisht. Bllokimi i rrugëve magjistrale që shpijnë në Jarinje dhe në Bërnjak nuk është bërë vetëm me barrikada prej mauneve dhe njerëzve por edhe me bulldozer. E ata bulldozer sigurisht që nuk janë për të bllokuar rrugë sa janë për të sulmuar në rast se policët kufitar do të ishin të vetmuar”, ka deklaruar ai.