Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se preokupim i tyre, sidomos i zëvendësit të tij, Besnik Bislimit, është zbatimi i udhërrëfyesit për energji.
Sipas tij, Bislimi zgjohet e bie të fle me këtë preokupim, sepse sipas tij, për zëvendëskryeministrin nuk ka gjë më të rëndësishme.
“Zyra e Rregullatorit për Energji ka pasur dy javë ta bëjë licencimin dhe e ka bërë për dy ditë, por nga ana tjetër edhe sot e kësaj dite nuk e kemi regjistrin e konsumatorëve në veri dhe ky është preokupimi im kryesor dhe kjo është çështja numër një me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im, nëse fle, Besnik Bislimi, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme sot për të”, ka thënë Kurti në konferencën e sotme për media.
Sipas kreut të Qeverisë, preokupimi kryesor i tyre është zbatimi i udhërrëfyesit, i cili do të mundësonte sa më parë që të fillojë pagesa e energjisë në veri të Kosovës.
“Preokupim ynë kryesor është zbatimi i udhërrëfyesit, i cili sa do ta mundësonte që sa më parë të fillojë pagesa e energjisë në veri të Kosovës, sepse shteti ynë s’mund ta përballojë as financiarisht as materialisht një përsëritje të viteve të mëhershme”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Kurti tha se strategjia e tyre për energji 2022-2031, do të shpaloset së shpejti edhe në kuvend.