Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës, për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë nuk është mirëpritur nga zyrtarët e këtij sektori por as nga shoqëria civile. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ai Prokurorial dhe Oda e Avokatëve të Kosovës, pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti në një mbledhje urgjente vendosën që ta reduktojnë punën. Sipas vendimit të Kurtit, nga 23 nëntori, gjyqtarët dhe prokurorët do të paguhen një mijë euro më pak.
Uljen e pagave në sektorin e drejtësisë nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, po e kritikon ashpër Lidhja Demokratike e Kosovës e cila në vitin 2020 kishte bërë koalicion me LVV-në të cilën më pas e rrëzoi me mocion mosbesimi.
Sipas Koordinatorit të Departamentit për Rendin dhe Ligjin, Shkëmb Manaj, ulja e pagave do të ndikoj në rriten e korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe në uljen e performancës në punë.
“Ne mendojmë që ky vendim do të ndikoj negativisht në performancën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës, në punën e tyre. Ulja e pagave ndikon në stiumulim të korrupsionit që do të duhej të ishte e kundërta dhe kjo rrezikon që gjyqtarët dhe prokurorët që kanë integritet moral e profesional të largohen nga sistemi i drejtësisë për shkak të pagave të ulëta”, u shpreh ai.
Manaj shton se taktika për zbritje të pagës, është një formë e tentimit të kapjes së sistemit të drejtësisë nga pozita në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
“Kjo tendencë e qeversië është që ndoshta të spastrohet sistemi gjyqësor dhe prokurorial dhe më pastaj të lirohen pozitat në mënyrë që këta (VV) të tentojnë ta kapin sistemin e drejtësisë ashtu siç po i kapin ndërmarrjet publike, bordet por edhe shërbimin civil të Kosovës”, tha ai për Sinjalin.
E “shpëtimtari” në këtë skenë po del të jetë Ligji për Paga.
Qeveria e Kosovës më 23 nëntor,miratoi Projektligjin për paga në sektorin public, ku Kurti tha se ky projektligj krijon sistem të unifikuar të pagave.
“Propozimi i sotëm i kushton rëndësi të madhe kualifikimeve. Askush nuk mund të paguhet më shumë sesa pesëfishi i pagës më të ulët në administratën tonë” – ka thënë Kurti.
Pas miratimit në Qeveri, projektligji do të dërgohet në Kuvend për miratim.
Sipas Manajt, përmes këtij projektligji i cili pritet që së shpejti të hidhet për miratim në Kuvend, do të rregullohet çështja e pagave
“Tash Projekt-ligji për Paga së shpejti do të shkojë në Kuvend dhe aty pastaj rregullohet çështja e pagave edhe për sistemin e drejtësisë dhe për tërë sistemin publik në vend”, u shpreh ai.
Ndërsa, lëvizjen e Kurtit për uljen e pagave e më pas ngritjen e tyre përmes Ligjit për Paga, Manaj e sheh si kalkulim të kryeministrit për të dalë mirë në sytë e opinionit dhe për ta marrë meritat për ngritje të pagave.
“Kjo është kalkulim i Qeverisë, këtë e ka bërë kryeministri që të shfuziqohet fillimisht ligji për ngritjen e pagave në kohën e Haradinajt në mënyrë që kur të hyn në fuqi Ligji për Pagat të konsiderohet që janë ngrit pagat në sistemin gjyqësor dhe prokurorial duke e marrë për bazë këtë ulje drastike të pagave. Ky kalkulim është i keq dhe i bën dëm sistemit të drejtësisë”, tha ai.
Vendimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve tha se nuk po e kupton ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Për shkak të reformave që ka nisur Ministria e Drejtësisë, gjithnjë është përcjellë me probleme të ndryshme. Ne kemi nisur Vettingun, ata e kanë bojkotuar, prapë jemi takuar, sërish kanë bojkotuar”, tha Haxhiu. Ajo insiston që vendimi i qeverisë për të zvogëluar pagat kësaj kategorie është i drejtë.
Haxhiu gjithashtu kujtoi që personalisht për ligjin e miratuar nga qeveria e Haradinajt kishte iniciuar edhe proces gjyqësor, por siç tha, nuk u thirr kurrë nga Prokuroria Speciale.
Shfuqizimi i vendimit, që për Haxhiun është jo i ligjshëm, e befasoi ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Ai tha se financimi adekuat dhe pavarësia e institucioneve gjyqësore janë gurthemele të sistemit të sundimit të ligjit dhe kërkesa themelore të procesit integrues në Bashkimin Evropian.