Që prej muajit shtator 2023, Departamenti i Edukimit në FSHF po organizon edicionin e radhës të kursit “UEFA PRO”, që është edhe niveli më i lartë për një trajner futbolli, ku marrin pjesë emra të rëndësishëm të futbollit shqiptar dhe jo vetëm.
Një ndër kursantët e këtij edicioni është edhe zëvendës-trajneri i ekipit Kombëtar, Pablo Zabaleta, ish-futbollist i suksesshëm i Argjentinës si edhe disa klubeve në Evropë, Manchester City, RCD Espanyol, West Ham United, etj.
Që prej fillimit të edicionit të ri të kursit “UEFA PRO”, zëvendës-trajneri i Kombëtares ka ndjekur me kujdes të gjitha seancat teorike e praktike të këtij kursi të organizuar nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n.
Në një prononcim për Fshf.org, Pablo Zabaleta tregon eksperiencën e tij deri më tani si kursant i këtij edicioni dhe ecurinë e kursit, duke theksuar se shkëmbimi i eksperiencës mes ish-lojtarëve dhe trajnerëve është një element i rëndësishëm për të gjithë ata që duan të bëhen trajnerë të mëdhenj.
“Deri më tani ecuria ka qenë shumë e mirë, është shumë intensive. Kalojmë shumë orë me leksionet e kursit, por mendoj se shkëmbimi i eksperiencës me ish-lojtarë, ku disa prej tyre janë trajnerë të skuadrave të mëdha dhe gjithashtu nga trajnerë të tjerë, të cilët janë pjesë e fushës së futbollit prej kohësh është një gjë e shkëlqyer për të gjithë studentët të cilët duan të mësojnë dhe të futen në botën e trajnimit. Ka qenë shumë mirë deri më tani dhe uroj që të vazhdojë kështu deri në fund të qershorit”.
Sa i përket rëndësisë së kursit “UEFA PRO”, zëvendës-trajneri i Kombëtares thekson se roli i një trajneri ka të bëjë me menaxhimin e skuadrës në shumë aspekte.
“Është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, edhe pse kemi vite që luajmë futboll. Por edhe për futbollin gjithashtu është e rëndësishme, pasi kur bën trajnerin, ti duhet të komunikosh me lojtarët. Futbolli nuk është vetëm ai që luhet në fushë. Si trajner duhet të menaxhosh gjithçka: median, komunikimin me lojtarët, trajnerë të ndryshëm, gjuhë të ndryshme. Trajnimi ka të bëjë shumë me menaxhimin. Kursi për trajnerë është gjithashtu për të mësuar aftësi të ndryshme në mënyrë që të jemi gati për të hyrë në botën e trajnerit”.
Pablo Zabaleta nënvizon më tej se struktura e FSHF-së në organizimin e këtyre kurseve është shumë e mirë dhe kjo gjë ndihmon trajnerët e rinj të jenë të përgatitur për të ardhmen.
“Mendoj që struktura e Federatës Shqiptare të Futbollit është shumë e mirë dhe do të ndihmojë shumë veta të bëhen trajnerë dhe të jenë të mirëpërgatitur për atë moment”, – thotë ndër të tjera zëvendës-trajneri i ekipit kombëtar, Pablo Zabaleta për fshf.org.
Në këtë kurs po marrin pjesë edhe dy trajnerët të njohur të Superligës së Kosovës, Ramiz Krasniqi dhe Tahir Lushtaku.