Zheljka Cvijanoviq, anëtare dhe kryetarja serbe e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, ka folur edhe rreth marrëdhënieve të vendit të saj me Kosovën. Më saktësisht, në një seancë të Presidencës trepalëshe, ajo e konfirmoi se do të inicojë një veto në lidhje me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes me karta identiteti dhe pa viza në Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet edhe udhëtimi pa viza mes Bosnjës dhe Kosovës.
Përmes kësaj marrëveshjeje, parashihej që qytetarët e Kosovës dhe ata të Bosnjës të udhëtonin me karta identiteti, pasi Bosnia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Në parim jam për lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, por në këto rrethana kemi një përshkallëzim në Kosovë dhe Prishtina tani nuk mund të jetë pjesë e këtij aranzhimi. Ndjej përgjegjësi morale ndaj popullit serb në Kosovë” – deklaroi Cvijanoviq, transmeton HMS.
Siç raporton RTRS, vendimin për veto e lidhi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke shtuar se “regjimi i tij nuk meriton përfitime”.
“Kur të kulturohet ai regjim, atëherë mund të merremi me këtë çështje” – tha ajo.
Cvijanoviq deklaroi se përdori veton kundër kësaj pike për shkak të përshkallëzimit të situatës në Kosovë, arrestimeve dhe keqtrajtimit të popullatës serbe nga “regjimi i Albin Kurtit në Prishtinë”. Tutje, politikanja serbe theksoi se për këtë çështje do të vendosë Kuvendi Kombëtar i Republikës Srpska.
Përderisa Cvijanoviq votoi kundër, dy anëtarët e tjerë të Presidencës së BeH votuan pro lëvizjes së lirë me karta identiteti dhe pa viza mes dy vendeve.