image Kur Rugova thoshte se Kosova e pavarur do të jetë në BE, NATO dhe miqësi të përhershme me SHBA-të

Politikë

Kur Rugova thoshte se Kosova e pavarur do të jetë në BE, NATO dhe miqësi të përhershme me SHBA-të

news image

“Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht”.

Kështu kishte deklaruar ish-presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, në një intervistë ekskluzive dhënë në fund të vitit 2002 për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”.

“Ky ishte, pra, objektivi yni qe sa vite, synim i popullit të Kosovës. Kërkesën për pavarësi e kam afirmuar unë si President i Republikës së Kosovës, dhe tash si President i Kosovës. Ishte rezultat i bazuar në Referendumin për Pavarësi të popullit të Kosovës që është mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Pra, kjo ishte detyrë e institucioneve të Kosovës. E kërkonim edhe prezencën e NAT0-s, që është tashti në Kosovë. Sigurisht që me pavarësinë e Kosovës NATO do të ketë një mandat tjetër në Kosovë, do të ketë baza këtu. Kosova do të jetë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, e strukturave euroatlantike. Edhe protektorati që, pas luftës pra, erdhi si një fazë kalimtare, nëpër të cilën tash po kalojmë, edhe që i jep një siguri Kosovës, një perspektivë. Gjithsesi njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i shpejtonte këto procese – edhe ekonomike, edhe demokratike, edhe të integrimit të shoqërisë së Kosovës – dhe do të qetësonte edhe rajonin e Evropës Juglindore, apo të Gadishullit Ilirik; do të qetësonte edhe popullin e Kosovës”.

Pra e ardhmja, nëse doni t’ju përgjigjem shkurt, e ardhmja, po edhe e tashmja, është pavarësia e Kosovës, sa më shpejt. Pra, pavarësia formale, se ne de fakto jemi të pavarur. Pavarësia formale do të na hapte shumë dyer në planin e institucioneve financiare, të organizmave ndërkombëtare, në prezencën e drejtpërdrejtë në integrimet veriatlantike”, kishte deklaruar Rugova.

/GazetaSinjali/