image Kur do të arrijnë vaksinat kundër gripit sezonal në Kosovë, flasin nga Ministria e Shëndetësisë

Shëndetësi

Kur do të arrijnë vaksinat kundër gripit sezonal në Kosovë, flasin nga Ministria e Shëndetësisë

news image

Situata me COVID-19 në spitalet e Kosovës është rënduar javëve të fundit, pasi që është rritur edhe numri i pacientëve që kërkojnë trajtim. Megjithatë përveç pacientëve të infektuar me këtë virus, shumë pacientë të tjerë po presin të vaksinohen kundër gripit sezonal, shkruan Gazeta Sinjali.

Vaksinat e tilla ende nuk kanë arritur në Kosovë, edhe pse numri i atyre që Ministria e Shëndetësisë ka paraparë për të vaksinuar është rreth 500 mijë persona.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Zyra për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë se vaksinat pritet të arrijnë kah mesi i muajit nëntor, që i bie këto ditë.

“UNICEF-i ka njoftuar se kah mesi i nëntorit do të arrijnë vaksinat e blera nga MSH-ja përmes kësaj organizate. Rreth 160 mijë e 500 dozat e para i presim.”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Sinjalin.

Megjithatë nga MSH thanë për Sinjalin se kanë filluar procedurat për të blerë edhe vaksina të tjera.

“Ministria e Shëndetësisë është në porcedura për të blerë edhe mbi 200 mijë të tjera.”, thuhet tutje në përgjigje.  

Nga Ministria e Shëndetësisë, më herët patën deklaruar se muaji tetor do të ishte më optimal sa i përket vaksinimit kundër gripit sezonal, por që kjo nuk varet nga Ministria e Shëndetësisë.

Vaksina kundër gripit sezonal i mbron njerëzit për një sezon dhe është kombinim i disa viruseve që janë në qarkullim.

Vitin e kaluar, në Kosovë janë vaksinuar rreth 100 mijë njerëz, aq sa ka qenë numri i dozave të vaksinave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë.

Këtë vit është menduar të shumëfishohet numri i vaksinimit, për shkak të pandemisë COVID-19.

/GazetaSinjali/