Drejtor i studimeve Evropiane në Këshillin e New Yorkut për Marrëdhënie me Jashtë, Charles Kupchan ka thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi e arritur në Washington është e rëndësishme, por sipas tij ajo mbetet vetëm hapi i parë.
Kupchan i cili është edhe profesor në Universitetin Georgetown, nuk e sheh të lehtë normalizimin politik mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa thotë se pret që Biden të jetë më i angazhuar për çështjet e Ballkanit, transmeton Gazeta Sinjali.
“Marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit është e rëndësishme, por është vetëm hapi i parë. Kalimi nga lidhjet më të ngushta ekonomike në normalizimin politik nuk do të jetë i lehtë. Unë pres që ekipi i Bidenit të jetë më i angazhuar në çështjet e Ballkanit dhe vetë Biden kujdeset shumë për rajonin dhe e njeh atë mirë. Një nga ndryshimet e mundshme nga epoka e Trumpit është se Washingtoni do të punojë ngushtë me BE-në në rajon. Ndarja e përpjekjeve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në Ballkan nuk ka shumë kuptim”, tha Kupchan.
Sipas tij, Biden do të ketë qasje pragmatike ndaj rajonit.
“Unë pres që Biden të ketë qasje pragmatike ndaj rajonit, jo një qasje ideologjike ose një në të cilën Washingtoni zgjedh vetëm njërën palë. Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe stabilizimi i Bosnjës dhe Hercegovinës do të kërkojë një diplomaci të aftë, të ekuilibruar që shikon nga e ardhmja, jo prapa”, tha ai.
Kupchan tha se pret njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Pres njohje reciproke, por mund të duhet kohë. Së paku në nivelin ekonomik, situata po shkon në drejtimin e duhur. Unë pres që e gjithë zona e Ballkanit përfundimisht të integrohet në institucionet e Atlantikut. Atraktiviteti i anëtarësimit në BE është një nxitës i fortë në të gjithë rajonin. Megjithëse ndihem i sigurt për këtë pikë përfundimtare, jam më pak i sigurt se kur dhe si do të arrihet ai rezultat”, u shpreh Kupchan./Gazeta Sinjali/