image Profesori Kupchan: Sulmi ndaj Policisë së Kosovës nuk ishte spontan

Politikë

Profesori Kupchan: Sulmi ndaj Policisë së Kosovës nuk ishte spontan

news image

“Është e qartë se sulmi i armatosur në veri të Kosovës, të dielën, nuk ishte spontan”, thotë Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në administratat e Bill Clintonit dhe Barack Obamas.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator. Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

Kosova e bëri përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

“Duket se ky është një aksion i mirëorganizuar, prandaj është më i rrezikshëm, sepse sugjeron se në terren ka grupe që janë të interesuara për të shkaktuar dhunë dhe janë të gatshëm të organizohen dhe të gjejnë armë që do t’u mundësojnë të bëjnë kështu”, beson Kupchan.

Ai tha se nuk dëshiron të spekulojë se kush qëndron pas sulmuesve.

“Mund të jetë një grup i brendshëm me mbështetje nga jashtë, por jo domosdo nga qeveria. Qëllimi i tyre? Të nxisin telashe, më shumë dhunë, të rrisin tensionet për të bërë të paarritshëm bashkëpunimin e palëve të përfshira për të arritur paqen e qëndrueshme”, theksoi ai për REL.

Ndër të tjerash, profesori amerikan tha se ky shpërthim i ri i dhunës është dëshpërues, por jo shumë befasues.

“Ky shpërthim i ri i dhunës është dëshpërues, por jo shumë befasues. Kohëve të fundit, tensionet janë duke u rritur. Mendoj se ka zhgënjim të të gjithë aktorëve. Në njërën anë, ka një udhërrëfyes serioz – me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian – që do të duhej ta çonte Kosovën dhe Serbinë drejt normalizimit [të marrëdhënieve]. Në të njëjtën kohë, asnjëra palë nuk tregon gatishmëri, guxim të mjaftueshëm për të ecur përpara dhe për ta zbatuar atë udhërrëfyes.

Mendoj se kryeministri Kurti, muajve të fundit, ka ndërmarrë hapa që kanë qenë provokues dhe kanë rritur temperaturën – duke filluar me përpjekjet për t’i detyruar serbët e Kosovës që të marrin karta të reja identiteti dhe targa. Pastaj, vendimi për instalimin e kryetarëve të komunave në veri, të zgjedhur në zgjedhje që u bojkotuan nga komuniteti serb.

Këta mund të jenë hapa legjitimë për një Kosovë sovrane, por, megjithatë, kanë rezultuar provokues dhe mendoj se e kanë penguar përparimin. Nuk e dimë se kush janë autorët e dhunës që solli këtë vrasje.

Vuçiq e mohoi çdo përfshirje të drejtpërdrejtë të Serbisë, por ne e dimë nga historia se, në kohën e rritjes së tensioneve etnike, formohen grupe paraushtarake të një lloji apo të një lloji tjetër. Qytetarët i marrin gjërat në duart e tyre dhe kryejnë akte dhune, pas të cilave ndoshta nuk qëndron asnjëra palë. Ndoshta kjo situatë e paralajmëron Qeverinë në Prishtinë dhe atë në Beograd se nuk përjashtohet shpërthimi më i gjerë i dhunës, se të dyja palët duhet të ushtrojnë përmbajtje dhe se situata në terren mbetet e paqëndrueshme dhe e rrezikshme“, theksoi ai.

/GazetaSinjali/