Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, bashkë me drejtorin e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Besnik Krasniqi, sot kanë pritur në takim Këshillin Grevist të Punëtorëve të Trepçës, të kryesuar nga Ragip Istrefi, përfaqësuesin e Sindikatës së Trepçës, Gani Osmani, U.D. të kryeshefit të “Trepçës” sh.a., Hysen Vrajolli dhe disa punëtorë të ndërmarrjes.
Arsyeja e këtij takimi, sipas MEA-së, ishte gjendja e krijuar në ndërmarrjen publike “Trepça”, pas bllokimit të llogarive bankare nga përmbaruesi, çka bëri që punëtorët e kësaj ndërmarrje të mos i marrin pagat e muajit tetor.
Kuçit i janë paraqitur kërkesat e Këshillit Grevist, të cilët kërkuan ndihmë financiare që të kalojnë këtë gjendje.
Në komunikatën e kësaj ministrie thuhet se Kuçi u ka premtuar punëtorëve dhe menaxhmentit që nga buxheti për rimëkëmbje ekonomike brenda Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike do t’u ndahet një shumë e mjeteve dhe do të kërkohet në Mbledhje të Qeverisë ndihmë shtesë.
“Ajo që mund të ju garantoj është se ne kemi një shumë të mjeteve në buxhetin e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, të cilën mund ta ekzekutojmë menjëherë. Mirëpo, kërkesa juaj është më e madhe dhe për këtë unë në mbledhjen e nesërme të Qeverisë së Kosovës do ta paraqes këtë shqetësim dhe do të kërkoj ndihmë për juve për të kaluar këtë situatë”, citohet të ketë thënë ministri.
Në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen, nga sindikata e “Trepçës” i kanë thënë sot Gazetës Sinjali se minatorët do të vazhdojnë grevën në minierë, ose do të nisen për protestë në Prishtinë./Gazeta Sinjali/