Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, ka reaguar për herë të parë pas arrestimit të djalit të tij, Flamur Kuçit dhe zyrtares së kësaj komune nga radhët e AAK-së, Blerina Sallajt, si të dyshuar për “Dhënie ose marrje të ryshfetit në lidhje me votimin”, raporton Gazeta Sinjali.
Këto arrestime ai i ka cilësuar si veprime të orkestruara, të cilat thotë se janë sajuar dhe trilluar nga kundërshtarët e tij politikë. Kuçi konsideron se veprimet e djalit të tij dhe zyrtares komunale nuk janë të kundërligjshme, e nuk përbëjnë vepër penale.
“Ajo që unë mund të ju them me përgjegjësi morale, me bindje të plotë, konstatoj se ky është skenar i orkestruar nga akterë të caktuar, nga kampi i kundërshtarëve politikë, vetëm e vetëm për të na marrë fitoren tonë! E themi me përgjegjësi juridike, se nuk ka kurrfarë veprimi të kundërligjshëm, e asgjë penale, përveç se këtij skenari të qartë politik. Ata që bëjnë dallavere vetë, po provojnë të m’i mveshin mua.”
“Një gjë është mëse e sigurt, që bashkë me ju, me vullnetin dhe angazhimin tuaj, në emër të Zotit, e me besimin që vetëm po rritet te populli, qytetarëve të ndershëm e bujarë të Junikut, me 14 nëntor do të fitojmë, pavarësisht sajesave, trillimeve, veprimeve të ulëta dhe orkestrimeve të neveritshme që bëjnë rivalët tonë politikë”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/