image Kuçi dhe ambasadori gjerman flasin për projektet ekonomike dhe rritjen e eksportit për në Gjermani

Biznes

Kuçi dhe ambasadori gjerman flasin për projektet ekonomike dhe rritjen e eksportit për në Gjermani

news image

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Bashkë me ambasadorin gjerman, ishin edhe zëvendësi i tij, Jan-Axel Voss dhe drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani.

Siç njofton kumtesa, mes ambasadorit Rohde dhe ministrit Kuçi u diskutua për disa tema, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës dhe marrëveshjen e fundit në Washington, për të cilën ministri tha që po presin kthimin e ekipit të Kosovës për të krijuar planin e menaxhimit të pikave të marrëveshjes.

Rëndësia e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, projekt për të cilin MEA ka ndarë edhe buxhet, u konstatua që do të ecë përpara me hapa të shpejtë, pasi interesimi për të zhvilluar veprimtari në këtë park është i madh.

Temë e takimit ishte edhe energjia, që ka marrë një fokus dhe përkrahje më të madhe nga MEA, ku tashmë nga gjermanët po bëhen edhe studime për të parë saktë zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme për të nxitur plotësimin e kuotës për këtë energji.

Ambasadori Rohde potencoi se në mandatin e tij si ambasador është i interesuar të çojë përpara zhvillimin ekonomik, nëpërmjet rritjes së eksportit të produkteve kosovare drejt Gjermanisë, duke i kanalizuar remitencat milionëshe që vijnë nga ky vend. Për këtë, ministri Kuçi i ofroi mbështetje të plotë.

Ministri Blerim Kuçi dhe ambasadori Jorn Rohde ishin në frekuenca të njëjta të bashkëpunimit, edhe në strategjitë për investime dhe ndihmë kur bëhet fjalë përshtatjen me programet e rimëkëmbjes ekonomike nga COVID-19. /Gazeta Sinjali/