image Kthehen festimet për Ditën e Pavarësisë në ShBA

Botë

Kthehen festimet për Ditën e Pavarësisë në ShBA

news image

Amerikanët po festojnë ditëlindjen e 245-të të vendit të dielën me fishekzjarre që mund të duken më të shndritshme, hotdogë që mund të shijojnë më shumë dhe grupe muzikore që mund të tingëllojnë edhe më bukur, një vit pasi pandemia detyroi anulimin e pothuajse të gjitha festimeve.

Si gjithmonë, shfaqjet e fishekzjarreve janë pika kulmore e festimit të 4 Korrikut. Dy nga shfaqjet më të mëdha të tyre do të jenë në Shëtitoren Kombëtare në Washington dhe mbi një kilometër e gjysmë përgjatë lumit lindor të Nju Jorkut, që ndan Manhatanin nga lagjet Kuins dhe Bruklin.

Disa veprimtari klasike të 4 Korrikut,të tilla si Konkursi i famshëm i Ngrënies së Hot Dogut në Coney Island të Bruklinit, mbeten të kufizuara për të mundësuar distancimin fizik, për shkak të rrezikut të vazhdueshëm të koronavirusit që ka shkaktuar vdekjen e mbi 600 mijë amerikanëve. Varianti më agresiv Delta ka ngritur alarmin për mundësinë e një vale tjetër infeksionesh midis të pavaksinuarve.

Megjithatë, festa është një moment kur amerikanët shfaqin patriotizmin e tyre dhe festojnë me një ndjenjë të re lirie në një kuptim më personal, duke kaluar kohë me miqtë përsëri dhe duke shijuar kënaqësitë e thjeshta të verës.

Por 4 korriku i këtij viti nuk është plotësisht i zhveshur nga masat e kujdesit. Departamenti i Sigurisë Kombëtare paralajmëroi javën e kaluar organet e rendit të shteteve amerikane për rritjen e kërcënimit nga dhuna e grupeve të brendshme ekstremiste mes zbutjes së kufizimeve të COVID-19 dhe festës së 4 Korrikut.

Kjo fundjavë feste pritet të ketë trafik më të ngarkuar – me rreth 43.6 milion amerikanë që udhëtojnë me makina, ose 5 për qind më shumë se një rekord i mëparshëm i vendosur në 2019, tha Shoqata Amerikane e Automjeteve.

Në Washington, presidenti Joe Biden planifikon festime me 1 mijë persona në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, përfshirë punonjës sektoresh, kritikë dhe familje të ushtarëve amerikanë.

Presidenti organizon aktivitetin ngjarjen tre ditë pas vizitës së tij në Sërfsajd, Florida, për të ngushëlluar familjet, të dashurit e të cilëve humbën jetën nga shembja e një godine banimi më 24 qershor.

Disa komunitete të Floridës kanë anuluar fishekzjarret e 4 Korrikut, në shenjë respekti për ata që janë prekur nga tragjedia, thanë zyrtarët e qytetit.

Po në Washington të dielën, bandat marshuese do të rikthehen për një paradë tradicionale. Në mbrëmje, Shëtitorja Kombëtare pritet të tërheqë turma të mëdha në një shfaqje fishekzjarresh prej 17 minutash që do të lëshohen nga të dyja anët e Pishinës Reflektuese të Përkujtimores së Linkolnit.

Në lumin Lindor të Nju Jorkut, pjesëmarrësit do të shikojnë një shfaqje spektakolare fishekzjarresh.

Ndriçimi i tyre jo vetëm që entuziasmon turmat, por edhe ndihmon në rimëkëmbjen e bizneseve që furnizojnë me fishekzjarre me 4 Korrik në shfaqjet e tyre në gjithë vendin.

Por për disa 4 korriku do të jetë i errët.

Pjesa perëndimore e Shteteve të Bashkuara përballet me një rrezik të shtuar për zjarre pas një vale të nxehti dhe thatësirës së madhe. Dhe problemet e furnizimit në të gjithë vendin, të lidhura me pandeminë, kanë rritur çmimet e gjithçkaje, nga sendet shtëpiake te fishekzjarret./Gazeta Sinjali/