Prej 13 marsit kur janë identifikuar rastet e para me koronavirus në vend, Kryqi i Kuq i Kosovës ka shpërndarë rreth 13 mijë pako ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë. Gjatë kësaj kohe të pandemisë Covid-19, ata janë fokusuar të ndihmojnë vendet e karantinuara dhe zonat e thella rurale, për shkak të qasjes më të vështirë që disa familje e kanë për në qytete.
Ani pse Kryqi i Kuq i Kosovës numëron 3 mijë vullnetarë aktiv, gjatë kësaj kohe kur vendi po përballet me koronavirusin, nuk kanë shërbyer të gjithë.
Ndërkohë, asnjë vullnetar deri sot nuk ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Burim Seferi, koordinator për menaxhimin e emergjencave dhe vullnetarëve, thotë se më 13 mars, Kryqi i Kuq i Kosovës ka ngritur qendrën operative emergjente për situatën e krijuar me pandeminë Covid-19.
“Kryqi i Kuq i Kosovës numëron 3 mijë vullnetarë aktiv, mirëpo në këtë kohë të pandemisë jemi të kufizuar me vullnetarë sepse dëshirojmë t’i mbrojmë dhe mos t’i ekspozojmë të gjithë vullnetarët. Deri më sot, çdo ditë vullnetarët tanë së bashku me stafin e Kryqit të Kuq kanë bërë shpërndarjen e pakove ushqimore e higjienike dhe janë munduar të përkrahin familjet skamnore, dhe për fat të mirë nuk kemi asnjë vullnetarë që është infektuar me Covid-19”, thotë ai.
Më moton “Ju rrini në shtëpi sepse ne vimë te ju”, gjatë periudhës së koronavirusit, ata kanë shpërndarë rreth 13 mijë pako për familjet në nevojë.
“Kërkesa dhe numri i familjeve në nevojë është rritur dukshëm sepse shumica nuk kanë marrë paga ose nuk kanë mundur të punojnë për arsye tashmë të njohura. Deri më tani janë diku 13 mijë pako ushqimore dhe higjienike që janë shpërnda, ne jemi në fazën që vazhdojmë të dërgojmë pako ushqimore apo higjienike”, thotë ai.
Ndërsa tani, kur edhe rastet pozitive me Covid-19 po shënojnë rënie, dhe ka më shumë persona të shëruar, Kryqi i Kuq i Kosovës po përgatitë planin e rimëkëmbjes.
Për këtë, Seferi thotë se është pjesa më e vështirë.
“Është njëra prej fazave më të vështira që duhet të ballafaqohemi sepse tani këtu duhet të reagohet edhe në më shumë programe. Ne do të mobilizojmë ose do të rrisim edhe numrin e vullnetarëve, do të bëjmë përgatitjen dhe trajnimin e tyre në mënyrë që vullnetarët tonë të jenë në gjendje të vizitojnë familjet në gjendje të vështirë psiko-sociale me mirëqenie sociale”, thotë ai.
Përveç ndihmave me pako ushqimore dhe higjienike që ka shpërndarë Kryqi i Kuq i Kosovës, janë mbajtur edhe kurse virtuale me qëllim të edukimit shëndetësor.
Sot shënohet Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, në të gjithë botën.
Kjo ditë shënohet më 8 maj, që prej vitit 1948, meqë në këtë datë ka lindur themeluesi i Kryqit të Kuq, zvicerani Henry Dunant, i cili kishte marrë edhe Nobelin për Paqe.
Edhe sivjet, Kryqi i Kuq i Kosovës e shënon këtë pa u pranuar ndërkombtarisht. /Gazeta Sinjali/