Afërdita Bytyçi është gruaja e parë në Kosovë që drejton Gjykatën Themelore të Prishtinës. Falë angazhimit të saj ajo ka arritur që të kalojë kufijtë e Kosovës. Këtë vit, nga USAID, ajo është shpallur “Heroinë e Demokracisë“ në botë në Ditën Ndërkombëtare të heronjve.
Afërdita tregon se si e nis ajo ditën pavarësisht angazhimeve të mëdha ditore.
“Zgjohem në ora 06:30. Ditën e filloj me kafen e mëngjesit, në shtëpinë time dhe gjatë kohës që e pi kafen e kontrolloj e-mail adresën dhe agjendën zyrtare. Në orën 07:30 nisem në punë dhe para orës 08:00 jam në zyre.
Kam shumë pak të kaloj me familje, sepse shpesh herë mbetem në punë edhe pas orarit…, por kohën e lirë e kaloj me familjarë. Kam dëshirë të shëtis…”, thotë ajo për DW.
Afërdita është rritur në një familje të madhe dhe është njëra nga 10 fëmijët e familjes Bytyçi dhe lidhja e sa me ta është shumë e ngushtë.
Motra e saj, Shqipja, thotë se Afërdita është motivi i familjes.
Puna e saj 20 vjeçare në fushën e drejtësisë dhe zgjidhja e shumë rasteve të rënda e ka shtyrë atë që të konkurroj për postin e kryetares së gjykatës më të madhe në Kosovë, në vitin 2016.
“Rrugëtimi im [për kryetare të Gjykatës] ka qenë mjaft i vështirë sepse unë kam garuar me pesë kundërkandidat meshkuj…Them se ka qenë sfiduese, sepse për shumëkënd ka qenë e pabesueshme se një femër mund ta udhëheq një gjykatë kaq të madhe, siç është Prishtina”, thotë ajo.
Zgjedhja e saj kryetare e Gjykatës në Prishtinë ka ngjallur shpresë dhe motiv edhe për gratë e tjera që të kenë një synim të tillë.
“Në kohën kur Afërdita është zgjedhur kryetare e Gjykatës për mua ka qene një sukses dhe inspirim për të ardhmen si femër gjyqtare”, thotë Hidajete Gashi, gjyqtare.
Sivjet, Gjykata që ajo udhëheq u shpall gjykata më transparente në Kosovë nga USAID, kurse Afërdita është shpallur “Heroinë e Demokracisë“ në botë në Ditën Ndërkombëtare të Heronjve në botë./Gazeta Sinjali/