Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pas vendimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për nisjen e procedurave ligjore për largimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse ka premisa se këto zgjedhje do të dalin të suksesshme.
Ai u shpreh është i gatshëm për çfarëdo vendimi që merr qeveria pasi siç tha ai, interesi shtetëror dhe ai i qytetarëve është prioritet.
“Unë jam i gatshëm të japë dorëheqje, nëse është prioritet interesi shtetëror, do të jem përkrah interesave të qytetarëve. Ky vendim megjithatë është i organeve të qeverisë dhe çfarëdo forme do i përshtatem”, ka thënë Zeqiri, për RTV Dukagjini.
Kujtojmë se sot, më 1 gusht, kanë nisur procedurat ligjore për largimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, ku përmes një vendimi të lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është bërë e ditur se është caktuar grupi punues për hartimin e udhëzimit administrativ “për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave”.
“Grupi punues është përgjegjës për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Grupi punues duhet të finalizojë projekt-udhëzimin administrativ dhe ta procedojë te Zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më datën 01 shtator 2023”, u tha në njoftim e tyre.