image Kryetari i Rahovecit apelon te qytetarët: Shën Gjergjin priteni në shtëpitë e juaja

Kosovë

Thirrje/ Kryetari i Rahovecit apelon te qytetarët: Shën Gjergjin priteni në shtëpitë e juaja

news image

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar se ka ndërmarrë masa shtesë në prag të shënimit të festës së “Shën Gjergjit”, si formë për luftimin e përhapjes së koronavirusit.

Për shkak të situatës, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin pa nevojë në dy ditët e ardhshme, shkruan Gazeta Sinjali.

“Tanimë kur të gjithë e dimë situatën e krijuar pas shfaqjes së pandemisë COVID-19, ju thërrasim që të bëni shumë kujdes dhe të mos mblidheni pa nevojë, nesër dhe pasnesër, pra, në datat 5 dhe 6 maj 2020, me rastin e festës së ‘Shën Gjergjit’ “, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Kryetari Latifi ka bërë të ditur se ka urdhëruar Inspektoratin Komunal që të vendosë shiritat në vendet ku festohet zakonisht tradicionalisht më 5 dhe 6 maj në Pataqan i Ulët dhe Dejnë.

Sipas urdhëresës është i ndaluar rreptësisht grumbullimi i dy ose më shumë personave, po ashtu, aktivitete të tilla në këtë kohë janë të ndaluara me rekomandim të qartë të IKSHPK-së, me qëllim të ruajtjes së shëndetit dhe parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Gjatë këtyre ditëve, Stacioni Policor në Rahovec në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal do të jenë vazhdimisht në terren për kontrollimin dhe mbikëqyrjen e situatës, e ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë këto masa dhe kufizime, do të merren të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë gjobat mandatore dhe masa të tjera ndëshkuese, të parapara me ligjet në Kosovë./GazetaSinjali/